Nga: Sonila Musaj*

Ardit Gjoklaj, 17-vjeçari që u gjet i pajetë në plehrat e Sharrës, në landfill, kishte gati një muaj që kishte filluar punë në sektorin e seleksionimit në Sharrë. 17-vjeçari u gjet me dëmtime të shumta në të gjithë trupin, ndërsa dyshohet se ka qenë traktori që punon në atë zonë të landfillit që i ka marrë jetën djalit. Dyshimet të çojnë te një akt makabër, pasi i riu jo vetëm është masakruar me mjetin e rëndë, por, në momentin kur është gjetur, trupi i tij ka qenë i mbuluar me plehra. 17-vjeçari ishte djali i një polici. Edhe pse i vogël në moshë, ai vendosi të punonte që t’i vinte në ndihmë familjes me sa mundësi të kishte. Shokët dhe shoqet e tij, H.Hysenukaj, E.Hasmeta, A.Çuku dhe K.Musai, kanë folur për “Gazeta Shqiptare”, dhe janë shprehur se është shumë e rëndë për ta humbja e një miku me të cilin kishin më shumë se 9 vite që njiheshin. Ata e konsideronin Arditin një mik besnik, një djalë që e donin të gjithë. Shokët e tij tregojnë se Arditi nuk ishte shumë mirë me mësime, por kishte fituar simpatinë e mësuesve për shkak të humorit që e karakterizonte. Shokët tregojnë se humbja i ka tronditur tej mase, ndërsa thonë se ai nuk ishte i pasur, por jetonte në një familje me të ardhura mesatare e filloi të punonte që të hiqte shpenzimet e tij. Miqtë e tij i shprehin ngushëllime familjes dhe u thonë që të bëhen të fortë në mënyrë që ta kalojnë këtë dhimbje.
Policia
Ndërkohë, pas gjetjes së trupit të 17-vjeçarit, policia bën me dije se kanë gjetur të gjithë personat që kanë dijeni për rrethanat e ngjarjes, i kanë marrë në pyetje, dhe 7 prej tyre janë të shoqëruar në ambientet policore. Ata janë marrë disa herë në pyetje, ndërsa janë bërë inspektimet në vendin e ngjarjes dhe në mjetin që dyshohet se i ka marrë jetën të riut. Policia përjashton vrasjen me dashje të adoleshentit, ndërsa bën të ditur se po hetohet në pistën e vrasjes nga pakujdesia. Megjithatë policia saktëson se ka dyshime për braktisje të kufomës me dashje në vendin ku u gjet trupi për të humbur gjurmët, por asnjë prej personave që janë marrë në pyetje mbrëmjen e djeshme nuk ka pranuar një fakt të tillë. Megjithatë vijojnë hetimet dhe do të jenë edhe disa persona të tjerë që do të pyetën në lidhje me këtë ngjarje horror. Ndërkaq, gjatë ditës së djeshme policia arrestoi në flagrancë Besnik Brahën, me detyrë përgjegjës firme, Edmond Kollarin, drejtues ekskavatori, Dëfrim Hakramën, përgjegjësi i turnit, dhe Bujar Dajën, përgjegjës i punonjësve. Ndërsa është në kërkim shtetasi E.T., 48 vjeç, administrator i firmës “3K shpk”. Arrestimi i tyre u bë sepse në orën 14:30, te landfilli i Sharrës, në grumbullin e mbeturinave është gjetur kufoma e shtetasit A.Gj., 17 vjeç, banues në Kombinat, i cili ishte punonjës sezonal në landfill, i paregjistruar te firma “3K shpk”, dhe dyshohet se është aksidentuar për vdekje nga një mjet tip “Ekskavator me kova”, gjatë punës në landfill. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Tiranë për veprën penale “Shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë”, parashikuar nga neni 289 i K.P, për shtetasit Besnik Braha, Dëfrim Hakrama, Bujar Daja, E.T. si dhe për veprat penale të “Shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “Drejtim mjeti në mënyrë jo të rregullt”, parashikuar nga nenet 289 dhe 291 të Kodit Penal për shtetasin Edmond Kollari, i cili është drejtuesi i ekskavatorit, i papajisur me leje drejtimi përkatëse.
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: