TIRANE– Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar për ngjarjen e ndodhur një ditë më parë në landfillin e Sharrës, ku i gjet i vrarë 17-vjeçari, Ardit Gjoklaj. Duke e cilësuar këtë një ngjarje të rëndë, Berisha akuzon për veprime shtazarakë jo vetëm ata që kryen këtë krim të rëndë, por edhe “ata që e groposën në plehrat e Sharrës”.

Berisha i bën thirrje Prokurorisë të hetojë këtë ngjarje, ndërsa thekson se në sesionin e ardhshëm parlamentar do të paraqesin bashkë me deputetët e tjerë, iniciativën që autorët e ngjarjeve të tilla të marrin dënimin maksimal.

POSTIMI I PLOTË
Më shtazë se kafshët!
Miq, ata që e varrosën Arditin ndofta edhe të gjallë në plehrat e Sharrës për të zhdukur gjurmët e krimit të tyre makabër, janë më shtazë se sa çdo kafshë e egër, të cilat në instinkt fshehin viktimën e tyre. Por ato ndërgjegje nuk kanë. Kurse këta që e shtypen Arditin me buldozer, në vend që ta çonin menjëherë në spital apo qoftë dhe në familjen e tyre zgjodhën ta ekzekutojnë për së dyti, ta groposin në plehrat e Sharrës për të kryer një krim të formës më shtazore, më të egër, më të shëmtuar dhe për të na dëshmuar se sa e pakufishme është ligësia e tyre shpirtërore.

Kurse pareliu që zhduket në drejtim të paditur sepse atë nuk e lejojnë paratë të dijë se çdo të thotë të vrasësh një 17-vjeçar dhe për të zhdukur gjurmët e krimit të shëmtuar ta fshehësh atë në plehrat që sistemon sipërmarrja jote, duhet gjetur me çdo kusht si një kriminel pa asnjë norme të moralit njerëzor.

I bëj thirrje prokurorisë së shtetit të bëjë gjithçka për gjetjen dhe vendosjen para ligjit të tij dhe të gjithë atyre qe janë te implikuar në këtë vrasje makabre.

Gjithashtu, duke i shprehur ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes se të ndjerit Ardit Gjoklaj dua të informoj publikun se në sesionin që vjen se bashku me deputetet e tjerë do marrim iniciativën ligjore që autorët e akteve të tilla shtazore me ligjin e ri të mbeten në qeli gjithë jetën e tyre! sb

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: