SHKODËR

Pas atentatit të sotëm në Shkodër ku mbetën të vrarë dy vëllezër, ministri Sandër Lleshaj ka njoftuar nga qyteti verior se është shkarkuar drejtori i Policisë atje, Vehbi Bushati dhe në vend të tij është vendosur Niko Brahimaj.

Ai tha se ishte sot në Shkodër për këtë arsye, por edhe për ngjarjen e rëndë ku humbën jetën dy vëllezërit Bilali, ngjarje kjo e ndodhur paraditen e sotme.

Kreu i ministrisë së Brendshme pohoi se qytetarët në Shkodër nuk kanë pse të kenë frikë, pasi Policia po bën të pamundurën për identifikimin dhe kapjen e autorëve të vrasjes.

Ngjarjen e sotme, Sandër Lleshaj e quajti si një vrasje për larje hesapesh dhe për këtë tha ai, uniformat blu po bëjnë përpjekjet maksimale për të hedhur dritë mbi këtë dhe për ngjarjet e tjera, që në fakt kanë tronditur Shkodrën, e cila tashmë vijon të lakohet si “Palermo e Shqipërisë”.

“Për t’i dhënë një impuls të ri kemi vënë në Policinë e Shkodrës Niko Brahimaj në vend të Vehbi Bushatit. Erdha në Shkodër për këtë arsye por edhe për ngjarjen e rëndë të ndodhur. Është vrasje për larje hesapesh në Shkodër. Forcat e policisë po bëjnë maksimumin për ta zbardhur ngjarjen.

Qytetarët nuk kane përse të mos ndjehen të sigurtë. Ne jemi në proces hetimi për këtë ngjarje por edhe ngjarje të tjera. Shpresoj qe sa më shpejt të kemi rezultate”, tha mes tjerash ministri.

Prononcimi i plotë i ministrit:

Kam ardhur sot në Shkodër i shtyrë edhe nga një ngjarje shumë e rëndë që ka ndodhur. Sot tentakulat e krimit të organizuar kanë arritur përsëri të godasin. Dhe kemi pra këtë ngjarje të rëndë, e cila ka ngritur në alarm gjithë forcat e policisë vendore, por edhe forca të tjera qendrore nga Tirana.

Me gjithë luftën dhe goditjet e forta që i janë dhënë krimit të organizuar në Shkodër, edhe gjatë kohëve të fundit, me goditje të rëndësishme ndaj grupeve të organizuara të këtij krimi, prapë rezulton që lufta ndaj këtij krimi nuk është fituar ende dhe mbetet shumë për të bërë.

Metastazat e këtij krimi edhe sot pra treguan që janë ende gjallë dhe që kanë mundësi për të goditur. Dua të garantoj të gjithë qytetarët e Shkodrës dhe të gjithë Shqipërisë se Policia e Shtetit dhe strukturat e tjera të Ministrisë së Brendshme dhe të sigurisë, janë të angazhuara në maksimum për të vijuar këtë luftë dhe për ta fituar, pa diskutim.

Në shërbim të këtij angazhimi ne kemi marrë sot edhe një vendim të rëndësishëm për të ngarkuar në krye të Drejtorisë Vendore të Shkodrës, një drejtues të ri, i cili vjen nga Tirana. Është Niko Brahimi, një nga drejtuesit kryesorë të Policisë së Shtetit, i cili ngarkohet sot me sigurinë e qytetit të Shkodrës.

Kam besimin e plotë që ai në krye të drejtorisë, do të japë impulse të reja dhe do të shënojë rezultate të reja për të siguruar atë që Shkodra meriton, qetësi, rend dhe dinjitet për arsye se ky qytet është në atë nivel saqë meriton gjithçka. Dhe ne do të bëjmë gjithçka në shërbim të sigurisë dhe të qetësisë së qytetarëve të tij.
Me qenë se u bënë shumë vrasje, të cilat ende nuk kanë një autor dhe natyrisht sa vjen e vështirësohet ky proces për policinë, a janë diku hetimet dhe konkretisht për këtë vrasje të dyfishtë që tronditi sot kryeqendrën e veriut, deri në momentin që flasim, a ka një përparim të hetimeve, apo një pistë konkrete?
Ministri Lleshaj: Puna për policinë nuk bëhet përditë e më e vështirë, por vjen duke u thjeshtuar për arsye se janë dhënë goditje të mëdha dhe krimi ka marrë goditje të parikuperueshme. Hetimet janë në proces të plotë, por sigurisht nuk është funksioni im për t’u marrë me hetimet dhe nuk mund t’ju them asgjë lidhur me hetimet.

E para, sepse nuk di hollësira, por edhe sikur t’i dija, e kam të ndaluar të shprehem për to. Di që ka një angazhim të plotë. Janë të gjitha strukturat e Policisë Vendore dhe të Drejtorisë së Përgjithme të Policisë të angazhuar për ta përmbyllur sa më shpejt dhe për të zbardhur sa më shpejt këtë rast dhe raste të tjera që janë në proces për t’u mbyllur.
Ka pasur shumë reagime në rrjete sociale, shumë frikë, qytetarët ndihen të pasigurt, cila do të ishte përgjigjja juaj?
Ministri Lleshaj: Përgjigjja ime është që qytetarët nuk kanë pse të ndihen të pasigurt, për arsye se gjithë vëmendja, dhe gjithë angazhimi i Policisë së Shtetit është këtu dhe mund të garantoj plotësisht që nuk ka hapësira për frikë nga qytetarët e Shkodrës.

Sigurisht që këtu kemi të bëjmë me një rast specifik, i cili është “larje hesapesh”, kjo është pista kryesore e cila ndiqet. Edhe “larja e hesapeve” na prek, na rëndon, na vjen keq që kemi larje hesapesh, por nuk ka hapësirë aspak për shqetësime në fushën e sigurisë për qytetarët e Shkodrës.
A ka të shoqëruar deri në këto momente dhe ku po hetohet, çfarë pistash po hetohet?
Ministri

Lleshaj: Çështjet e hetimit dhe detajet operacionale nuk janë përgjegjësia dhe kompetenca ime.

Meqenëse ju thatë që në krye të drejtorisë vendore vendoset një drejtues i ri, kjo rokadë, nëse mund ta quajmë kështu, vjen për të rritur përformancën e drejtorisë? Çfarë ka çaluar deri në këto momente, meqenëse bëhet ky ndryshim?

Ministri Lleshaj: Ndryshimi bëhet për t’i dhënë një impuls të ri të gjithë procesit të punës së DVP Shkodër. Ne synojmë të arrijmë në një fazë të re, të hapim një fazë të re, më intensive për të dhënë goditje vendimtare dhe për të zhbllokuar edhe ato metastaza të fundit që kanë mbetur, pa u zhbllokuar në qytetin e Shkodrës.
Kur mund të kemi rezultate, janë 11 të vrarë?
Ministri Lleshaj: Së shpejti i presim. Faleminderit!

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb