FIER – Prej tre muajsh në familjen e Mehmet Beqirajt, në Dermenas të Fierit, ka zënë vend dhimbja për humbjen e jetës së vajzës të tyre 33 -vjeçare, e vrarë në Francë. Drama në këtë familje është edhe e më e madhe, pasi trupi i pajetë i 33-vjecares Silvi Beqiraj nuk është kthyer në Shqipëri. Babai i saj Mehmeti ka udhëtuar deri në Francë, por nuk ka mundur të bëjë asgjë. Autoritetet franceze kanë refuzuar t’i japin trupin, sepse janë duke hetuar. Me të njëjtën përgjigje i ka mbyllur dyert edhe Ambasada Shqiptare atje.

Në këtë situatë Mehmeti i bën thirrje shtetit të ndërhyjë për rikthimin e trupit në vendlindje.  Ai është i bindur se autorët e vrasjes së vajzës janë shqiptarë dhe thotë se nuk do të rreshtë së kërkuari drejtësi.

Familja Beqiraj po përballet edhe me një situatë tjetër të vështirë, që e shton dhimbjen për vajzën e humbur. Kërkesa e tyre për të marrë në kujdestari dy fëmijët që Silvi la pas, nuk është pranuar.

33-vjeçarja e vrarë në shtator të këtij viti ishte nënë e dy fëmijëve, një djali 11 vjeç dhe një 8 vjeç. Për disa vite ajo jetoi në Itali dhe u kthye ne vendlindje pas divorcit nga bashkëshorti. Në prill të 2013 Silvi udhëtoi drejt Francës. Babai i saj Mehmeti dyshon që ajo ishte e detyruar nga dikush tjetër, për të shkuar në këtë vend.

(er.nu/news24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb