MEMALIAJ- Ende nuk ka një njoftim zyrtar nga policia lidhur me rrethanat dhe shkaqet e ekzekutimit të 43 vjeçarit Alket Muhaj, banues i fshatit Rabie në Memaliaj. Alket Muhaj u gjet i ekzekutuar me armë zjarri  të enjten në fshatin e tij, sipas policisë, në rrethana ende të paqarta. Burime për Balkanweb pohuan se viktima është qëlluar me kallashnikov. Edhe pse policia nuk bën të ditur asnjë detaj, burimet i thanë Balkanweb se pista kryesore e hetimit është ajo e vrasjes për cështje të drogës.

Po sipas burimeve, ekzekutimi i 43 vjecarit ka lidhje me një kontroll që policia ka ushtruar në datën 4 shtator në fshatin Gllavë, fshati më i afërt me atë të viktimës, ku zbuloi dhe shkatërroi një parcelë hashashi. Dyshohet se 43-vjeçari i ka treguar policisë për hashashin që kultivohej në këtë fshat. Gjithmonë sipas burimeve tepër të rezervuara, vrasja e Muhajt dyshohet të jetë vepër e pronarëve të drogës së kultivuar.

Menjëhere pas marjes së njoftimit për vrasjen, në vendngjarje në fshatin Rabie shkuan shërbimet e policisë dhe grupi hetimor të cilët po punojnë për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, ku deri më tani kanë shoqëruar 5 persona të cilët mund të kenë dijeni.

Ndërkohë dje pa dhënë detaje, Komisariati I Policisë së Tepelenës ka referuar materialet në Prokurori për 2 shtetas K.C 59 vjec dhe A.K 33 vjec banues në fshatin Gllave për veprën penale të kultivimit të bimëve narkotike. Ende nuk kemi një njoftim nga policia nëse këto ngjarje kanë lidhje me njëra tjetrën.

(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb