BalkanWeb siguron foton e autorit të vrasjes së 81-vjeçarit, Xhemal Meta në fshatin Shëngjin i vogël, në Qafë Mollë. Ngjarja ndodhi dy ditë më parë.
Personi që shihni është Isuf Hasa, 64 vjeç. Ky i fundit më datë 13.01.2025, rreth ores 09:00 ka shkuar në banesën e fqinjit të tij Xhemal Meta dhe për motive të dobëta e ka qëlluar atë me një mjet të fortë (çekiç) në pjesën e pasme të kokës duke i shkaktuar vdekjen.
Nga veprimet hetimore dyshohet se autori i dyshuar Isuf Hasa, pasi e ka goditur viktimen i ka marrë dhe një sasi vlerash monetare që ai mbante në xhep, dhe më pas është larguar. Policia njoftoi se nga kontrollet e shumta të kryera në disa banesa të autorit dhe familjarëve të tij, janë gjetur dhe sekuestruar një sasi prej 200.000 lekë të rinj.
Po nga kontrollet e ushtruara në banesën e shtetases L.H,(vajza e autorit të dyshuar) në fshatin Gjokaj, Vorë, Shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale sendin e dyshuar (çekiç) më të cilin autori ka kryer vrasjen.
Në fazë operacionale janë përfshirë Specialistet e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Tiranë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.4, Komisariatit të Policisë nr.7, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës. Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë ndalimi i shtetasit Isuf Hasa për veprën penale “Vrasja me paramendim ”.
(BalkanWeb)