Vrasja e Alfred Dedjas pasditen e së dielës është diskutuar në emisionin “Open” në News24 nga një panel gazetarësh. Autori i dyshuar i ngjarjes, Julian Gjoshi, u raportua se u dorëzua pothuajse 24 orë pas krimit. Gjoshi është kunati i Altin Hajrit, ndërsa nga bisedat në SKY ECC zbulohen detaje se si ai u lirua kur u kap për armëmbajtje pa leje.

Gazetari Armand Bajrami tha se në drejtim të viktimës u qëllua 5 herë, 3 nga plumbat i shkaktuan vdekjen e menjëhershme.

Bajrami tha se autori i dyshuar ka hyrë në lokal i pamaskuar. Gjoshi u vetëdorëzua pasditen e sotme në Polici, sikundër u njoftua më herët.

Gazetari Basir Çollaku tha se ngjarja duhet të hetohet pasi nuk besonte që ai ka ardhur si pasojë e një konflikti të momentit.

Çollaku tha se një nga pistat ku mund të hetohet është edhe ajo e zhdukjes së Jan Prengës. Ai tha se nxitimi i Policisë dhe Prokurorisë lidhur me ngjarjen nuk është bindës. “Çdo prokuror me një eksperiencë duhet ta marrë në konsideratë. Mund të përjashtohet si pistë, por jo që në fillim të hetimeve”, tha Çollaku.

Ai tha se i duket se çuditshme qëndrimi i mbajtur nga SPAK që brenda 24 orësh përjashton pistën e zhdukjes së Jan Prengës si motiv në vrasjen e Alfred Dedja nga Julian Gjoshi, duke bërë një lidhje me historinë se viktima punonte në resortin ku është zhdukur Prenga, ndërsa autori është kunati i Altin Hajri.

Çollaku tha se Ols Dado ka qenë drejtor i praktikave të ekstradimeve në Prokurorinë e Përgjithshme dhe bëhet fjalë për të njëjtin prokuror që del në bisedat e Sky ECC. “Ne nuk e fajësojmë, ai mund të ketë kryer detyrën, por i del emri në Sky ECC, nuk them për episodin e pistoletës, por për ekstradimet”, tha Çollaku.

Por gazetari Armand Bajrami duke iu referuar një deklarate të SPAK, tha se Prokuroria Speciale e ka përjashtuar që Julian Gjoshi është liruar kur u kap me armë pa leje nga prokurori Ols Dado.

“Nuk po flas për këtë çështje, janë dy çështje ndara. Nuk po them për pistoletën, por për çështjen e ekstradimeve”, tha Çollaku.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: