GREQI- Policia greke ka zbuluar në kohë planin e 3 shqiptarëve të arrestuar si të dyshuar për vrasjen e avokatit grek Mixalis Zafeiropoulos në 12 tetor, në mes të Athinës. Raportohet se shqiptarët kishin planifikuar arratisjen si në skenarët e filmave, por ka qenë dëshmia e një personi që ka prishur planet e tyre.

Shqiptarët kishin planifikuar që njeri prej të arrestuarve do të pinte një sasi medikamentesh duke provkuar vetëhelmim me shkumë nga goja, njofton media greke ‘tovima.gr’.

Në momentin që do ta dërgonin në spitalin e Athinës për kurim, pjesa tjetër e grupit, bashkëpunëtorë të jashtëm, do të lëshoheshin në sulm ndaj oficereve që e shoqëronin atë në spital dhe do të ndihmonin në arratisjen e tij, por nuk përmenden emra.

Kujtojmë se pas vrasjes së avokatit grek, në pranga u vendos shqiptari Mikel Brahimaj, i cili ka pranuar krimin, duke thënë se ai donte vetëm ta trembte. Shqiptari ka shkuar ta takojë për t’i përcjellë një mesazh, por në sherr e sipër, situata i ka dalë nga duart duke e lënë të vdekur avokatin e njohur. Policia grek dyshon se pas Mikel Brahimaj fshihen 3 shqiptarë të tjerë, të cilët vuajnë dënimin në burgun e Koridhalos.


(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb