SHKODËR
Qyteti i Shkodrës është blinduar nga forcat e policisë pas ngjarjes së rëndë ndodhur ditën e djeshme ku u vranë dy vëllezërit Astrit dhe Brahim Bilali. Mësohet se forca të shumta policie qarkullojnë në qytet duke kaluar në sitë çdo rrugë e ngritur postblloqe të shumta për evidentimin e çdo rasti të dyshimtë.
Për vrasjen policia ka shoqëruar rreth 30 persona dhe ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë, një provë që mund të ndihmojë për zbardhjen e krimit të dyfishtë.
Grupi hetimor po vlerëson çdo element të mundshëm, ndërsa në pyetje do të merren dhe të afërmit e viktimave në orët e mbrëmjes ose ditën e nesërme pas kryerjes së ceremonisë mortore.
Dy vëllezërit Bilali do të përcillen sot në orën 15:00 në banesën e fundit, por nuk dihet nëse djali i 59-vjeçarit Astrit Bilali, Asmer Bilali, i cili ndodhet në burg do të ketë leje për të marrë pjesë në varrim. “BalkanWeb” ka mësuar se ai ka kërkuar leje për varrosjen e babait dhe xhaxhait nga drejtuesit e burgut 313 në Tiranë, por nuk dihet nëse leja i është aprovuar.
(BalkanWeb)