Policia e Tiranës ka gjetur motorin e djegur të autorit të dyshuar të vrasjes së biznesmenit 56-vjeçar Bujar Nasufi mbrëmë në Tiranë. Ai u qëllua për vdekje me 2 plumba në zonën e “Pallatit me Shigjeta” brenda në automjetin e tij, teksa ndodhej pak metra larg banesës.
Gazetari Igli Çelmeta raporton se motori është gjetur i shkrumbuar në zonën e Kodrës së Sharrës.
Ndërkohë blutë njoftojnë se “motomjeti tashmë është duke iu nënshtruar një ekspertize të thelluar nga Drejtoria e Policisë së Tiranës”, ndërsa mbetet për t’u parë nëse do të gjenden prova të autorëve të cilat mund të ndihmojnë hetuesit në identifikimin e vrasësve.
“Në lidhje më ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme ku u vra me armë zjarri shtetasi B.N, ju informojmë se: Në vendin e quajtur “Kodrat e Sharrës” gjatë krehjes së zonës, shërbimet e Policisë kanë gjetur një motomjet të djegur, i cili dyshohet se i përket autorit. Vijon puna nën drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin ligjor të ngjarjes, si dhe po kryhen të gjitha veprimet hetimore përkatëse me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/ve. Grupi hetimor po kryen veprime intensive për sekuestrimin e çdo prove që do ti shërbejë hetimit për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor, identifikimin dhe kapjen e autorëve”.
Autori u maskua si shpërndarës picash
Viktima Bujar Nasufi ka dalë nga mobileria e tij në rrugën “Irfan Tomini” rreth orës 20:20 me automjetin e tij tip “Benz” ngjyrë gri për të shkuar në drejtim të banesës së tij në rrugën “Myrte Zeneli”. Autori, i maskuar dhe me motor si shpërndarës picash, pasi e ruajti sapo mbërriti në afërsi të banesës së tij, e priti deri sa bashkëshortja e tij zbriti nga makina.
Teksa po parkonte, 56-vjeçari u qëllua nga një distancë shumë e afërt, me armë të tipit pistoletë. 6 plumba u shkrepën, dy nga të cilët rezultuan fatal për 56-vjeçarin. Sa i përket motiveve të ngjarjes, policia nuk ka mundur zbulojë konflikte të hapura të viktimës, pasi 56-vjeçari njihej si person i qetë.
Pista e vetme dhe kryesore që po heton policia është ajo e konflikteve për pronat.
Familja Nasufi me origjinë nga Berati, që prej kohës së diktaturës jetojnë në zonën e Selitës së vogël, e përbërë nga 4 vëllezër, janë pronarë të disa bizneseve në rrugën “Irfan Tomini”. Familjarët kanë deklaruar se pronat janë ndarë që herët dhe s’ka pasur probleme mes vëllezërve.
(BalkanWeb)