Zbardhet përgjimi i një bisede telefonike mes të dënuarit me burgim të përjetshëm, Admir Tafili dhe Kristi Pines, në tetor 2014, gjatë “thurjes” së planit për vrasjen e biznesmenit durrsak, Leonard Murati. Sipas dosjes së Prokurorisë për Krimet e Rënda, pasi kishte “pajtuar” Pinen për kryerjen e kësaj vrasjeje, Tafili interesohej nga qelitë e burgut të Bradasheshit, Elbasan, nëse ishte gjithçka gati. Në deklarimet e dhëna prej tij, i penduari Pine ka pohuar se edhe pse ka siguruar tri armë, një motor dhe ka studiuar lëvizjet e “shënjestrës” për disa ditë, ekzekutimi i biznesmenit Murati, më 18 nëntor 2014, nuk është kryer prej tij, por nga dy persona të tjerë.

POROSIA 50 MIJE EURO
Nga hetimi ka rezultuar se porosia e Tafilit ishte përçuar te Pine nga i pandehuri Aleksandër Gora. Për vrasjen e Muratit ofrohej shuma prej 50 mijë eurosh dhe nëse vriste dhe nipin, do t’i paguante 100 mijë euro, shkruan panorama. “Këtë porosi e ka marrë Admir Tafili nga persona të paidentifikuar ende. Takimi është kryer në muajin tetor në Tiranë dhe së bashku me shtetasin nën hetim Aleksandër Gora, me mjetin e këtij të fundit kanë shkuar në qytetin e Durrësit, ku kanë takuar një shtetas të quajtur K.”, thuhej në dosjen e Prokurorisë. Sipas Akuzës, për këtë vrasje shtetasi Kristi Pine ka biseduar dhe me shtetasin nën hetim Elson Merdani, i cili i ka thënë se për këtë vrasje kishin marrë një shumë prej 25 000 eurosh. “Vrasja e shtetasit Leonard Murati është kryer në ambientet e lokalit të tij në Durrës dhe sipas deklarimeve të shtetasit nën hetim Kristi Pine, kjo vrasje nuk është kryer nga ai, por nga dy persona që ai nuk i ka njohur”, thuhej në dosje. Pavarësisht se kjo vrasje nuk është kryer nga shtetasi nën hetim Kristi Pine, shtetasi i dënuar Admir Tafili ka marrë një shumë prej 25 000 eurosh. Këtë shumë e ka marrë shtetasi Elson Merdani, nga të cilat i ka dhënë Kristit 3000 euro.

“Në lidhje me ngjarjen e Durrësit, ku është vrarë shtetasi Nard Murati, dua të shpjegoj se siç e kam thënë më përpara, atë vrasje nuk e kam bërë unë, por fjala ishte përhapur se vrasja ishte kryer nga njerëzit e Admir Tafilit dhe për këtë arsye janë paguar paratë. Këto para unë di që i ka marrë shtetasi Elson Merdani, i cili më ka thënë personalisht se kishte marrë 25000 euro nga shtetasi me emrin Klodi nga Durrësi, të cilin e kam sqaruar në deklarimin e parë. Për atë punë, edhe pse nuk e kisha kryer unë vrasjen, ai më pas i ka dërguar mamasë sime 3000 euro, sepse i kishte thënë Admiri. Unë, madje, i kisha thënë Admirit që nuk kishte përse të m’i jepte, por ai ka thënë se do m’i çonte patjetër. Në lidhje me armën tip ‘skorpions’ që ma kishte dhënë Klodi nga Durrësi, unë këtë armë ia kam dhënë një shokut të Admirit, i cili quhet F.G.. Automatiku ‘skorpions’ që më është gjetur mua gjatë kontrollit është i J.G.. Ai ma ka lënë aty për ta fshehur. Ai gjithashtu më ka thënë se me këtë armë kishte gjuajtur te lokal ‘A…’ pas një sherri që kishte pasur me persona të tjerë. Kjo ngjarje ka ndodhur në kohën përpara se të bëheshin zgjedhjet e përgjithshme në 2013 dhe e kishte mbyllur si çështje”, citohet në dosje deklarimi i të penduarit Kristi Pine.

PERGJIMI NGA BURGU
Sipas Prokurorisë, përgatitjet për kryerjen e vrasjes së Leonard Muratit provohen dhe nga një bisedë telefonike të datës 31 tetor 2014, mes Kristi Pines dhe Admir Tafilit, i cili ndodhej në qeli. Telefonata është kryer përmes telefonit që përdorej nga A.B., që thirrej nga Tafili me emrin “Xhike”. Biseda bën fjalë për sigurimin e armëve dhe motoçikletës që do të përdorej nga Kristi Pine për të realizuar vrasjen e Leonard Muratit. Konkretisht, në mënyrë të koduar i shpjegon se kishte marrë dy armë dhe motorin, dhe detajin tjetër që për armën tip “skorpion”, Klajdi nga Durrësi nuk i kishte siguruar akoma fishekët, që ishin të kalibrit 7.65.

(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: