ELBASAN- Atentati me armë zjarri që iu bë 37-vjeçarit Erion Millo në Elbasan dyshohet të ketë qenë i organizuar dhe autorët të jenë vrasës me pagesë. Ky fakt bëhet me dije pranë hetuesve të çështjes, të cilët pohuan se nga hetimet paraprake ka rezultuar se në vrasje kanë marrë pjesë dy persona. Menjëherë pas krimit të rëndë që tronditi qytetin e Elbasanit mbrëmjen e së shtunës, uniformat blu kanë shoqëruar në polici 9 persona si të dyshuar që kanë dijeni për ngjarjen.

Sipas të njëjtave burimeve, mësohet se personat e shoqëruar nuk kanë dhënë asnjë dëshmi të vlefshme për policinë, që mund t’i çojë ata drejt identifikimit të autorëve. Ndërkaq, me anë të një njoftimi zyrtar nga ana e policisë lokale u raportua se në vendin e ngjarjes, pranë stacionit të trenit, kanë gjetur dy gëzhoja pistolete, me të cilët dyshohet se është qëlluar Millo.

Hetimet
Hetuesit e çështjes janë duke hetuar mbi ndonjë konflikt të mundshëm që viktima mund të ketë pasur me ndonjë person në qytetin e Elbasanit apo edhe gjatë qëndrimit të tij në Itali. 37-vjeçari Millo ka jetuar për një kohë të gjatë si emigrant në vendin fqinj dhe dyshohet se ngjarja mund të ketë lidhje me ndonjë konflikt të mëparshëm të tij. Ndërkaq, burimet e sipërpërmendura sqaruan më tej se 37-vjeçari rezulton të jetë administrator dhe ortak të një biznesi në fshatin Xibrakë të Elbasanit. Aktualisht, policia është duke verifikuar edhe të dhënat mbi këtë pronë, e cila ka si objekt të aktivitetit të tij tregtimin e karburantit, restorant, bar dhe hoteleri.

Ngjarja
Rreth orës 21:00 të mbrëmjes së të shtunës, 37-vjeçari ka ndaluar mjetin e tij shumë pranë stacionit të trenit dhe ka shkuar te banesa e të fejuarës së tij. Në momentin që ka qenë thuajse në dalje së hyrjes së pallatit, ai është goditur dy herë me plumba pistolete, ku nga dëshmitë dyshohet se kanë qenë dy persona. Sipas dëshmive, e fejuara e tij ka qenë e vetmja që ka kuptuar se ndaj 37-vjeçarit është kryer atentat me armë zjarri.

Në një moment ai ka tentuar të çohet në këmbë, ndërsa një prej autorëve e ka parë dhe ka nisur ta qëllojë edhe me thikë. Edhe pse ai është transportuar menjëherë në spitalin kirurgjik të Elbasanit, nuk ka mundur të mbijetojë. Agresorët u larguan menjëherë nga vendngjarja duke përfituar edhe nga errësira. Ndërsa, në vendin ku u shënua ngjarja nuk kishte kamera sigurie, çka e bën edhe më të vështirë identifikimin e agresorëve.

Ditën e ngjarjes, policia ngriti postblloqe në të gjithë qytetin e Elbasanit si edhe në akset kryesore që e lidhin atë me kryeqytetin si edhe me Korçën dhe Gramshin, me qëllim kapjen e autorëve. Në ndihmë të tyre për kapjen e autorëve mbërritën në Elbasan vetëm një orë pas vrasjes edhe 2 grupe të FNSH-së. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor, Elbasan për veprime të mëtejshme për veprën penale “Vrasje me paramendim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: