Merr një tjetër rrjedhë vrasja e makabre e çiftit shqiptar në lagjen Peristeri, të Athinës në Greqi. Në 3 shkurt të vitit 2017, Thanas dhe Eleni Curra u ekzekutuan me nga një plumb në kokë në banesën e tyre. Pasditen e së martës, gjykata greke ka dhënë dënimet për 4 të arrestuarit për ngjarjen në fjalë.

Gazeta Shqiptare mëson se ngjarja nuk lidhet me një grabitje të mundshme, siç u fol në fillim, por autorët kanë dashur t’i mbyllin gojën çiftit.

Hetimet kanë zbuluar se 53-vjeçari Thanas Curra kishte miqësi me një nga të dënuarit, Luan Hajdarin. Ky i fundit së bashku me një tjetër shqiptar, Edmondi (ka dhe disa emra të tjerë) merreshin me grabitje dhe trafik droge. Luani përdorte automjetin e punës të Thanasit për transport droge, deri sa ky i fundit e kuptoi.

Disa ditë përpara se të vritej, 53-vjeçari foli me një efektiv policie. Kjo lëvizje u kuptua nga Luan Hajdari dhe ai porositi vrasjen e çiftit, duke paguar 60 mijë euro.

Vrasësit, një shtetas shqiptar dhe një grek u futën në banesën e Thanas dhe Eleni Curra duke hapur derën me një çelës kopje. Ata i qëlluan me plumb në kokë burrë e grua, ndërsa djalin e tyre autik e plagosën me thikë.

Nga hetimet e prokurorisë, gjykata dënoi me 2 burgime të përjetshme Luan Hajdarin. E njëjta masë dënimi u dha dhe për shqiptarin vrasës, i njohur me pseudonimin Kili. Ky i fundit dyshohet se qëlloi mbi Thanasin dhe Elenin. Thoma Qirjaku, një shtetas grek që po ashtu morri pjesë në vrasje u dënua me 15 vite burg. Edhe drejtuesi i taksisë, që çoi vrasësit në shtëpinë e çiftit shqiptar dhe i priti pas ekzekutimit u dënua me 15 vite burg.

Ndërkohë një tjetër shqiptar, Edmondi është në kërkim për këtë vrasje të dyfishtë dhe autoritetet greke kanë dyshime të forta se ai fshihet në Shqipëri. Sipas skedës së autoriteteve greke ai është njeri i rrezikshëm dhe i aftë të vrasë. /Gsh.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb