TIRANE- Në seancën e sotme gjyqësore kundër grupit të strukturuar kriminal të arrestuar për organizimin dhe vrasjen e Devi Kasmit mbrëmjen e 29 dhjetorit, janë dëgjuar dëshmi me vlerë, nga të cilat kanë dalë në dritë detaje të reja.

Gazetarja Klodiana Lala raporton për “BalkanWeb” se mes dëshmive është regjistruar edhe ajo e babait të Elton Halipajt, personi që akuzohet se siguroi mjetet për vrasjen e Devi Kasmit.

Hyda Halipaj, nënkryetari i shoqatës së pensionistëve, tha se pak kohë më parë i kishte siguruar të birit një punë si kopshtar pranë njërës prej minibashkive në kryeqytet por se e kishte refuzuar.

“Më tha që nuk dua ta bëj atë punë, se kam gjetur një tjetër”,- tregoi i moshuari, siç mëson “BalkanWeb”.

TË ARRESTUARIT
· Elton Halipaj, 36 vjeç, lindur në Skrapar e banues në Tiranë;
· Efthymiou Efthymious, 41 vjeç, lindur e banues Arta Greqi;
· Malvin Dinellari, 30 vjeç, lindur në Korçë e banues në Tiranë;
· Elton Hoxhallari, 36 vjeç, lindur e banues në Tiranë.
Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasi (Altin) Aurel Hoxhallari, 41 vjeç, lindur e banues Tiranë.

Shtetasi i shpallur në kërkim (Altin) Aurel Hoxhallari, dyshohet si organizatori i këtij grupi të strukturuar kriminal.

Shtetasi Elton Halipaj ka siguruar mjetet e nevojshme për kryerjen e krimit. Shtetasi grek Efthymiou Efthymious, dyshohet në rolin e ekzekutorit të shtetasit D.K. si vrasës me pagesë.

Në momentin e arrestimit, atij iu gjetën me vete një sasi e konsiderueshme eurosh dhe parash shqiptare, që dyshohet se i ka përfituar si shpërblim për vrasjen. Shtetasi Malvin Dinellari ka siguruar mjetet dhe përgatitur infrastrukturën për realizimin e vrasjes.

Shtetasi Elton Hoxhallari dyshohet si bashkëpuntor në sigurimin e mjeteve dhe përgatitjen e infrastukturës për realizimin e vrasjes. Gjatë këtij operacioni të mirë-organizuar janë ushtruar kontrolle në disa banesa të autorëve të dyshuar si dhe në një vilë të ndodhur në periferi të Tiranës, në pronësi të organizatorit të këtij grupi, e cila shërbente si bazë e grupit.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb