DIBER

Të tjera detaje dalin në dritë nga ngjarja e rëndë që ndodhi në Bulqizë, ku një person mbeti i vrarë dhe dy të tjerë u plagosën. Gazetari Enver Doçi ka siguruar për ‘BalkanWeb’ një intervistë me kryeplakun e fshatit Topojan, Vedi Shehu, ku ky i fundit tregon se si ndodhi krimi në familje.

Po ashtu ai pohon se gjithçka kishte nisur 3-4 muaj më parë kur viktima, Adriatik Jella, rreth 40 vjeç, ishte ndarë nga gruaja dhe kjo e fundit ishte shpërngulur tek babai i saj, Veli Cidhnaku.

NGJARJA
“BalkanWeb” mëson se gjithçka nisi një ditë më parë kur pas një sherri për motive të dobëta Adriatik Jella, i preu veshët vëllait të bashkëshortes. Ngjarja ndodhi në Maqellarë të Dibrës. Gazetari Enver Doçi ka siguruar për ‘BalkanWeb’ të gjithë ngjarjen që rrodhi më pas, që u pasua nga të tjera krime. Mësohet se Jella u nis drejt fshatit të gruas së tij, Topojan, dhe sapo hyri në banesë, plagosi një prej miqve të kësaj familje (vëllai i një prej nuseve të familjes Cidhnaku). Duke u gjendur në këto rrethana, thuhet se vjehrri i tij ka marrë një dru dhe e ka goditur në kokë dhëndrin.

‘BalkanWeb’ zbardh intervistën me kryeplakun e fshatit.
Si ka ndodhur ngjarja?
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:00 të mbrëmjes së djeshme ka shkuar Jella në shtëpinë e vjehrrit, viktima, dhe ju ka bërë terror. Dhe në fund është ndeshur me Flamur Dervishin dhe e ka qëlluar me thikë në qafë dhe dy herë në brinjë. Flamuri është mik i kësaj familje. Në spital në Tiranë janë dy persona. Policia erdhi në vendin e ngjarjes dhe e mori agresorin, po ai ndërroi jetë.

Cili ishte motivi i sherrit?
Viktima e kishte lënë bashkëshorten prej 3 muajsh. Me të ka dhe dy fëmijë dhe kishin probleme. Ky thuhet se ka kërkuar që ta marrë gruan dhe ata se kanë lënë. Ndaj për këtë arsye kanë ndodhur ngjarjet, ku ai ngeli viktimë dhe dy të plagosur janë rëndë në Tiranë.

Viktimën e kanë goditur me dru pas koke?
Kështu flitet, unë nuk e kam parë.

Kanë qenë edhe dy fëmijët brenda kur ka ndodhur krimi?
Po, po kanë qenë në shtëpi. Ata janë terrorizuar edhe ata. Kanë qenë shumë madje aty, pasi i zoti i shtëpisë ka 4 djem. Ka pasur fëmijë dhe gra në atë shtëpi. Janë tronditur të gjithë nga kjo ngjarje. Kjo është një histori e hershme, pasi ata kishin konflikte prej 3-4 muajsh. Ata kishin dy fëmijë, një vajzë dhe një djalë (vajza në klasë të parë dhe djali më i vogël). Ata kanë pasur konflikte.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb