Emisioni “Në Shënjestër” i gazetares Klodiana Lala, në News24 është trajtuar vrasja e Roland Rexhepit, ish-oficerit të antidrogës, i njohur ndryshe si “Doda” që e ekzekutua pranë banesës së tij në Elbasan, 15 vjet më parë. Më poshtë mund të lexoni dëshminë e Luljeta Hoxhës, nënës së Donald Hoxhës, një prej personave të dyshuar si të përfshirë në krim. Luljeta rrëfen bisedën që ka pasur me Gëzimin e Hanes, i cili ka shfajësuar jo vetëm veten e tij, por edhe Donaldin.

Të gjendur në një situatë të pazakontë, të alarmuar nga ajo çfarë kishin dëgjuar dhe nga arrestimi i beftë i djalit të tyre në Britaninë e Madhe, i cili akuzohej pas 15 vitesh si i përfshirë në një krim të rëndë, dhe pasi u njohën me pohimin e tij se kishte dijeni për furgonin e bardhë tip ‘Renault’ që u përdor në vrasjen e ish-efektivit të policisë Roland Rexhepi, familjarë të Donald Hoxhës, mbajtën frymën në polici, për të treguar atë që u kishte thënë djali i tyre.

Ai e cilësonte veten krejtësisht të pafajshëm në këtë histori, ku e kishte futur sipas tij Gëzim Balla, pa dijeninë e tij.

Por ndërkohë që babai i tij u paraqit në polici për të mbrojtur të birin, vetëm një ditë më pas te ta, shkoi vetë Gëzim Balla.

I cili kërkoi njëkohësisht të përjashtojë nga kjo histori si Donaldin ashtu edhe veten.

Luan Hoxha

Pasi djali im, Donaldi u arrestua në Angli me qëllim ekstradimin në lidhje me vrasjen e Roland Rexhepit, dhe na tregoi se si ishte puna e furgonit, si dhe që ishte Gëzimi ai që e mori me vete, unë shkova me dëshirë në polici të tregoja se çfarë kishte ndodhur.

Por vetëm një ditë më vonë Gëzimi erdhi te puna jonë dhe pranoi të gjitha ato që Donaldi na kishte thënë. Madje edhe që do të pohonte se ishte ai që kishte blerë furgonin dhe jo Donaldi.

Ndërkohë që djali im nuk ka patur dijeni për çfarë do përdorej ky furgon dhe nuk di të thotë nëse Gëzimi kishte dijeni apo jo.

Madje aq i gëzuar ka qenë Donaldi që po i jepte një furgoni sa ka filmuar edhe veten. Video që ia ka treguar edhe shokut të tij, Edit.

Ne kërkojmë një ballafaqim me Gëzimin që të sqarojë pozitën e Donaldit dhe të tregojë të vërtetën, se kujt ia dha furgonin dhe që Donaldi nuk ka lidhje me këtë ngjarje.

Të njëjtat deklarime sikundër i ati i Donaldit, apo vetë ky i fundit kur u ekstradua nga Anglia dha edhe shoku i tij, Edison Çullhaj.

Atij të cilit në atë kohë, Donaldi iu hap dhe i tregoi lidhur mbi ekzistencën e furgonit të bardhë.

Dhe të faktit që kishte qenë me Gëzimin në Maminas për ta blerë.

Ashtu si edhe pas ekzekutimit të Roland Rexhepit, ku dyshimin se ky furgon ishte përdorur në krim, ia shprehu edhe Edit.

Ndërkohë që e ëma e Donaldit, tregoi edhe për takimin që ajo pati me Gëzim Ballën në muajin janar 2024, vetëm pak ditë pasi ky i fundit kishte mësuar se Donaldi kishte nxjerrë emrin e tij si personi që kishte blerë automjetin tip furgon të bardhë ‘Renault’, që u përdor në vrasjen e Roland Rexhepit.

Luljeta Hoxha

Më datë 28 Janar 2024, rreth orës 11.00 në telefon më mori motra ime Sonila Fieraku. Ajo më tha që të prisja në shtëpi djalin e saj, nipin tim Stivin, se kishte një muhabet për ti thënë.

Pasi Stivi erdhi ai më tregoi se Gëzimi i Hanes (Gëzim Balla) kishte shkuar te lokali i babait të tij Ilia dhe i ka thënë që Donaldi është i pafajshëm në këtë histori dhe se nuk ka bërë asnjë faj.

Po kështu Gëzimi i ka thënë Ilias se edhe ai vetë është i pafajshëm.

Por kjo nuk ishte hera e parë që Gëzimi shkonte në lokalin e bashkëshortit të tezes së Donaldit.

Pasi ai mësohet se në të njëjtën ditë kishte shkuar sërish, ku përsëri ishte shfajësuar.

Por ndryshe nga hera e parë, këtu ai kishte përmendur emrin e një personi që sipas tij e kishte marrë në qafë.

Të cilin e kishte kërkuar, por që tashmë ndodhej në burg.

Luljeta Hoxha

Në momentin që shkova te shtëpia e motrës sime, Sonilës, Stivi më tha që Gëzimi kishte qenë sërish te lolali, ku kishte takuar Ilian.

Këtë herë Gëzimi u kishte thënë që po vuante kusuret e tjetër kujt, ku edhe përmendi një person me emrin Visi.

Gëzimi u kishte thënë që pati shkuar edhe tek banesa e Visit për t’i kërkuar llogari, por aty kishte takuar mamanë e tij e cila i kishte thënë që djali është në burg, dhe se e kanë bërë lanet.

Por mesa duket Gëzimi nuk i ka lënë me kaq takimet dhe shfajësimet e tij.

Pasi këtë herë ai vendos të takojë vetë prindërit e Donaldit. Të cilëve u shkon te puna e tyre, por tashmë i maskuar, nuk dihet për çfarë arsye.

Ku ndryshe nga hera e parë, në këtë takim ai kërkoi të ishte i pranishëm edhe babai i Donaldit.

I cili sapo ishte kthyer nga Italia, ku punonte si shofer.

Por në pamundësi për të takuar babain e Donaldit, që nuk ishte në gjendje të mirë shëndetësore, ai u përball sërish me të ëmën e tij, e cila i kërkoi llogari përse ia kishte marrë në qafë djalin.

Ku edhe këtu, sipas dëshmisë së nënës së Donaldit, Gëzimi u shfajësua duke thënë se po vuante kusuret e Visit, por pa treguar se kush ishte ky person.

Luljeta Hoxha

Më datë 30 Janar 2024, dëgjova dikë te puna që kërkonte Luanin. Ku dola pashë një person që në kokë kishte hedhur kapuçin e trikos.

Sapo e pashë e njoha direkt. Ishte Gëzimi i Hanes, që ka qenë shok me vëllain tim Mentor Fekollarin.

Fillova ta pyes përse ma mori djalin në qafë?

Por Gëzimi u shfajësua duke më thënë që as ai, as Donaldi nuk kishin faj.

Madje më tha që nëse unë doja, ai do bënte një deklaratë noteriale ku të thoshte çdo gjë. Por unë i kërkova të shkonte në Polici dhe të deklaronte të vërtetën.

Në fund ai tha se ishte duke vuajtur kusuret e Visit, dhe se unë mora vetëm 200 mijë lekë për të ngrënë një drekë dhe nuk e dija përse duhej ai furgon.

Dhe se Donaldin e mora kot me vete dhe jo për t‘i hapur punë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb