“Zbërthehet” i penduari i drejtësisë Klevis Alla. Në seancën e mbajtur në Gjykatën e Posaçme, Alla ka folur mbi vrasjen e dy vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia.
Para togave të zeza i riu dëshmoi se ditën e ngjarjes është takuar me Nuredin Dumanin, i cili në kokë mbante një kapuç si ato të policisë. Ai tha se bashkë me Nuredinin ishte edhe një person tjetër, po me kapuç, që nuk e njihte.
Gjithashtu ai mësohet të ketë thënë se ka telefonuar Besmir Haxhinë, me qëllimin për t’u takuar.
“Besmir Haxhia ishte tek dyqani i agjencisë dhe s’ka vonuar shumë, ka ardhur tek tregu i ShënVlashit. Asnjë nuk ishte në dijeni që Besmiri ishte me vëllain e tij Viktorin. Sapo makina “Golf 6” është afruar, Nuredin Dumani ka ulur xhamin e makinës dhe ka qëlluar, ndërsa ekzekutori tjetër ka qëlluar me xham të mbyllur”, ka treguar Klevis Alla.
Sipas të penduarit Klevis Alla, pasi ka qëlluar mbi dy vëllezërit, Nuredini ka zbritur nga makina dhe i është afruar viktimave dhe ka qëlluar sërish mbi ta.
“Më pas ata kanë lëvizur drejt varrezave ku Nuredini dhe personi tjetër kanë zbritur dhe kanë marrë rrugën drejt Tiranës”, është shprehur ai.
Më tej i penduari i drejtësisë tregon se Dumani e ka braktisur makinën “Benz” disa metra poshtë varrezave ku ka hedhur edhe armët e zjarrit.
“Kam dalë për të pirë kafe me një shok dhe pastaj kam shkuar tek makina e braktisur dhe e kam lëvizur pak më poshtë, pasi në zonë po lëvizin disa polic”, tha ia në fund të dëshmisë së tij.
(BalkanWeb)