TIRANË- Gjykata e Tiranës ka pranuar kërkesën e prokurorisë për zgjatjen edhe me 30 ditë burg të masës së sigurisë ndaj Flamur Ymerit, i akuzuar për vrasjen e dy te rinjve, në banesën e tij në Selitë. Vrasja e dy të rinjve në vilën e Flamur Ymerit në muajin dhjetor 2014 ka mbetur ende e pasqaruar, për shkak se ekspertizat mjekoligjore në trupat e dy viktimave ende nuk kanë përfunduar. Prokuroria e Tiranës ka dërguar dje në gjykatë kërkesën për caktimin e një mase të re sigurie ndaj 45­vjeçarit Flamur Ymeri, i arrestuar me akuzën e vrasjes së dyfishtë. Kërkesa drejtuar gjykatës është përsëritur për shkak të përfundimit të afatit të masës së parë të vendosur edhe për armëmbajtje pa leje. Në datën 20 dhjetor 2014, togat e zeza vendosën masën e parë të sigurisë “arrest me burg me afat 30 ditë” ndaj autorit të dyshuar për vrasjen e shtetasve Adnan Luli, 22 vjeç dhe Ervin Shaba, 26 vjeç. Për shkak të përfundimit të afatit të masës së parë, Prokuroria e Tiranës i është drejtuar gjykatës me kërkesën për mbajtjen e të dyshuarit në burg edhe për 30 ditë të tjera, kërkesë e cila është pranuar sot nga gjykata.

Biznesmeni Ymeri akuzohet për “vrasje të kryer në kapërcim të kufijve të mbrojtjes se nevojshme” të Adnan Lulit dhe Ervin Shabës, si dhe për “prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake”. Sipas tij, dy viktimat ishin të armatosur dhe të maskuar dhe ishin futur në banesë për ta grabitur.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb