Gjykata e Tiranës zbardhi arsyetimin e vendimit që “zhveshi” nga akuza e “vrasjes me paramendim” në bashkëpunim katër persona të dyshuar për vrasjen e Enton Nikës më 11 nëntor të vitit 2015 në zonën e Linzës.

Ndryshe nga pretendimi i Prokurorisë, që kërkoi dënime me nga 25, 28 dhe 35 vjet heqje lirie, 116 vjet në total për këta të pandehur, gjykata vlerësoi se vrasja e Nikës është kryer pa paramendim dhe jo në bashkëpunim prej tyre. Në vendimin e shpallur më 4 maj, një kopje e të cilit u sigurua nga gazeta, gjykata arsyeton se në ngjarje është konsumuar vepra penale e “vrasjes me dashje” vetëm nga ana e të pandehurit Emiljano Tasho.

Tre të pandehurit, Ervis Martinaj, Bujar Hasani dhe Mirsad Kuçana, që ishin bashkë me Tashon në momentin e krimit, sipas gjykatës, duhet të përgjigjeshin për “moskallëzim krimi”. “Gjykata arrin në përfundimin se vepra penale e vrasjes së shtetasit Enton Nika, më 11.11.2015, është kryer pa paramendim dhe jo në bashkëpunim nga të pandehurit Emiljano Tasho, Bujar Hasani, Ervis Martinaj e Mirsad Kuçana.

Vrasja e shtetasit Enton Nika është kryer nga i pandehuri Emiljano Tasho, si pasojë e eksesit të këtij të pandehuri, gjatë kohës kur ai së bashku me të pandehurit e tjerë po godisnin me grushte, shkelma e sende të forta të ndjerin Enton Nika dhe shtetasin Ismet Gaxheri”, arsyetohej në vendim.

KONFLIKTI
Konflikti ku u vra Enton Nika ndodhi në parkingun e lokalit “M…” në Linzë. Të pandehurit kanë drekuar në këtë lokal dhe në momentin e largimit kanë parë Nikën dhe pronarin e lokalit, Ismet Gaxherri. Referuar deklarimeve të të pandehurve, gjykata pretendon se Ervis Martinaj ka vënë re shtetasin Enton Nika që po shihte nga ata, duke folur nëpër dhëmbë, që i është dukur si sharje të pandehurit Ervis.

“Ai i është drejtuar të ndjerit Enton Nika duke i thënë ‘o çuni, hajde një sekondë’. Pasi janë afruar, i pandehuri Ervis i ka hedhur dorën në qafë të ndjerit Enton duke i thënë: ‘A më njeh mua, unë jam Ervis Martinaj’. Entoni i ka thënë ‘qofsh me shëndet, unë jam Enton Nika dhe më largo pak atë dorën nga supi se ta këpus’”, rrëfehej nisja e konfliktit në vendim. Më tej të pandehurit janë përfshirë në konflikt fizik me ta, ku në një moment i pandehuri Emiljano Tasho ka qëlluar me një armë pistoletë, sipas tij nga pakujdesia, drejt Enton Nikës, duke e lënë të vdekur.

NDRYSHIMI I AKUZES

Në vendimin e shpallur nga një treshe e kryesuar nga gjyqtari Gerd Hoxha dhe anëtarë Besnik Hoxha dhe Lazër Sallaku, 40 faqe në total, arsyetohej se në veprimet e kryera nga të pandehurit në vendin e ngjarjes mungonin tërësisht elementet e paramendimit dhe të bashkëpunimit. Sipas gjykatës, nuk rezultoi e provuar që të pandehurit të kishin një shkak apo motiv.

Gjykata shprehej se rezultonte e paprovuar që të pandehurit të kishin vënë në jetë një plan kriminal ku kishin përcaktuar me imtësi kohën, vendin, mënyrën, si dhe gjetjen e mjeteve për realizimin e vrasjes së shtetasit Enton Nika. “Përkundrazi, ka dyshime të forta se ngjarja ishte e çastit pasi, shtetasi Enton Nika kishte sharë nëpër dhëmbë katër të pandehurit që sapo largoheshin me makinë”, arsyetonte gjykata.

(Panorama/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: