Detaje të tjera zbulohen nga vrasja e familjes Pocesta në Dibër të Madhe në Maqedoni, krim për të cilin është akuzuar vajza e tyre Blerta Pocesta 25 vjeçe. Agjentët e Skuadrës së Lëvizshme dhe policisë shkencore, edhe me stafin e departamentit të specializuar të Padovës, kryen një inspektim të shtunën, më 1 shtator që zgjati tre orë në Cornadella di Sacile, Pordenone në Itali, në shtëpinë e familjes Pocesta.

Dy bashkëshortët Amit dhe Nazmije Pocesta, përkatësisht 55 dhe 53 vjeç si dhe vajza e tyre 14-vjeçare Anila u vranë brenda banesës së tyre.

Mediat italiane shkruajnë se në fund të inspektimit dhe kontrolleve që kryesisht kishin të bënin me pajisjet kompjuterike, u urdhërua sekuestrimi i banesës së familjes Pocesta në Itali.

Hetimet ndërkohë vazhdojnë për kërkimin e ndonjë informacioni që mund të çojë në pistën se një pjesë e krimit mund të jetë projektuar në Itali. Policia italiane e Shtetit është deleguar për të mbledhur elemente të dobishme për hetimet – të kryera në bashkëpunim me autoritetin maqedonas.

Fillimisht u fol për një përfshirje në krim të Rasim Findos, burri i motrës së gruas së vrarë dhe për një ikje të mundshme por personi në fjalë e ka mohuar. “Nuk është e vërtetë, unë jam i lirë dhe në shtëpi, këtu me vajzën time”.

Ndërkohë media maqedonas Libertas përfshin në vrasje edhe mafien. Libertas duke cituar burime të saj, shkruan se anëtarë të familjes Pocesta kanë qenë pjesëtarë të një grupi mafioz.
Sipas Libertas, babai i vrarë ka dëshmuar kundër grupit mafioz ku vajza e tij e madhe ka qenë anëtare, prandaj dyshohet se ky është motiv për vrasjen e kryer.

Jozyrtarisht, përveç vajzës së madhe, dyshohen edhe tre persona. Vajza e akuzuar, Blerta Pocesta pas krimit ka udhëtuar drejt Italisë për të humbur gjurmët dhe më pas është kthyer sapo ka lajmi është bërë publik.

Por nga ana tjetër i dyshuari i parë i policisë së Maqedonisë për vrasjen e dy bashkëshortëve dhe vajzës së tyre tha sot për News24 se vajza i vrau prindërit dhe motrën për 1.5 mln euro.

Rasim Findo, burri i motrës së gruas së vrarë thotë se arsyeja mund të jetë përfitimi i 1.5 milion eurove nga shteti italian pasi kryefamiljari Amid Pocesta ka qenë i siguruar në shtetin fqinj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb