Një ditë pas vrasjes së gazetares irlandeze Lyra McKee, autoritetet kanë vënë në pranga dy të rinj, 18 dhe 19 vjeç, të cilët dyshohen si autorët e të shtënave me armë, mbrëmjen e së enjtes në Londonderry, në Irlandën e Veriut.

Dy të rinjtë, që dyshohen për kryerjen e akteve terroriste, janë dërguar në Belfast, ku po merren në pyetje. Momenti i vrasjes së gazetares ishte filmuar nga kamerat e sigurisë dhe një celular, prej nga u identifikuan dhe personat që hapën zjarr.

Ngjarja po hetohet si sulm terrorist, pasi dyshohet se personat që hapën zjarr ndaj oficerëve të policisë dhe hodhën shishe molotov, janë pjesë e organizatës IRA e RE.
Gazetarja 29-vjeçare Lyra McKee po ndiqte nga afër një operacion policor në lagjen Creggan. Në zonë po kryheshin kontrolle për armë zjarri, që mund të përdoreshin gjatë fundjavës së Pashkës, kur republikanët disidentë përkujtojnë revoltën e vitit 1916.

“Në Derry këtë mbrëmje, marrëzi totale”, ky ishte statusi i fundit në twitter i gazetares, pak përpara se të qëllohej me armë. Lyra McKee ishte një gazetare e njohur në Irlandë, jo vetëm për mbulimin e ngjarjeve të kronikes, por edhe për blogun e saj, në të cilin në vitin 2014, filloi të tregonte shqetësimet e një adoleshenteje homoseksuale në Belfast.
Një film u realizua bazuar në shkrimet e saj, ndërsa së fundi McKee kishte firmosur një kontratë për botimin e dy librave.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb