KOSOVE

Ministri i Drejtësisë së Republikës së Kosovës, Abelard Tahiri është shprehur sot se institucioni që drejton ka shkëputur të gjitha kontaktet me autoritetet në Serbi, sa i përket vrasjes së politikanit Oliver Ivanvoviç. Sipas Tahirit, shkëputja e kontakteve vjen për vetë faktin që presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç, strehon të kërkuarit për vrasjen e politikanit serb.

“E kemi shkëputur çdo lloj bashkëpunimi me palën serbe, për shkak se Vuçiç po i strehon të dyshuarit”, tha  Tahiri gjatë një konferencë për mediat.

Lidhur me deklaratat e bëra dje nga Vuçiç që Rada Trajkoviç ka dëshmuar në Prokurorinë Speciale të Kosovës për vrasjen. Tahiri pretendon se një dokument i tillë është vetëm manipulim i Serbisë lidhur me rastin.

“Po mundohet të manipulojë procesin, përmes dokumentacioneve false”, është shprehur Tahiri.

Në fund ai nuk kursen edhe një apel për autoritetet në Serbi, që të dorëzojnë të kërkuarit për vrasjen e Ivanoviç.

“I bëjmë thirrje që t’i dorëzojë të gjithë të kërkuarit, për të zbardhur rastin e  vrasjes së Ivanoviçi”, është shprehur ai.

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb