KOSOVE-Kur po mbushet një vit nga vrasja e ish¬kandidatit për deputet të PDK¬së, Elvis Pista, Prokuroria e Gjakovës ka dërguar për ekzaminim në Finlandë shënimet e tij, me besimin se ato do të ndihmojnë ndriçimin e vrasjes.

Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, Shpresa Bakija, pranon se ende nuk e kanë identifikuar personin që qëlloi Elvis Pistën në orët e para të 15 qershorit të vitit të kaluar. Ajo bën me dije se kanë dërguar për ekzaminim në një vend skandinav disa materiale që mund të çojnë drejt zbardhjes së këtij krimi.

“Ekzaminimet e fundit i kemi dërguar në Finlandë për arsye që jo vetëm institucionet e Kosovës por as ato të EULEX¬it nuk kanë qenë në gjendje ta bëjnë, nga i cili ekzaminim presim shumë”, thotë Bakija.

Kryeprokurorja tregon se Elvis Pista e kishte shprehi të mbante shënime për të gjitha aktivitetet e tij dhe sipas saj këto shënime janë dërguar në Finlandë.

“Bëhet fjalë për një fletore ku i ndjeri ka mbajtur shënime, por dyshohet që ato shënime i ka mbajtur edhe në telefonat e tij. Çdo veprim që ka ndërmarrë i ndjeri në punën dhe veprimtarinë e tij të përditshme e ka shënuar edhe në telefonat e tij por ata telefona nuk kanë mundur assesi të ekzaminohen në Kosovë”, thotë Bakija.

Por ajo bën me dije se prokuroria nuk i ka varur të gjitha shpresat vetëm te përgjigjja që do të marrë nga Finlanda. “Ne nuk do të ndalemi. Prapë do t’i shqyrtojmë të gjitha mundësitë dhe do të kemi konsultime me të gjithë bashkëpunëtorët tanë të brendshëm dhe të jashtëm nëse do të ketë nevojë për ekzaminime të të mëtutjeshme në drejtim të të dyshuarve”, shpjegon Bakija.

Elvis Pista u vra pasi doli nga restoranti “Haja Petrol” i Rahovecit ku po qëndronte bashkë me disa miq dhe gruan. Policia atëherë njoftoi se Pista u qëllua me katër plumba nga një armë me shurdhues.

(a.n/kallco.com/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: