TIRANË

Zbardhet itinerari i autorëve të vrasjes së Klajdi Prendit. Gazetari Igli Çelmeta raportoi për “BalkanWeb” se dyshohet se në atentat kanë marrë pjesë 3 persona të cilët kanë qenë në një automjet tip “Audi A4” ngjyrë gri me portobagazh me targa greke. Mësohet se ka qëlluar vetëm një prej tyre nga pjesa e pasme e makinës me pistoletë me silenciator.

Klajdi Prendi sa kishte hipur në makinë pasi kishte dale nga bar artisti. Autorët kur janë larguar janë kthyer te kthesa e “Venue”, kanë dalë te Rrethi i Shkozës dhe kanë djegur makinën në Farkë afër liqenit. Në këtë zonë dyshohet se i ka pritur një automjet tjetër me të cilin janë larguar.

  • foto galeri
  • foto galeri

 

Klajdi Prendi është djali i ish-gjyqtarit Fran Prendi. Ai e nisi karrierën në gjykatën e Pukës në 1995. Në vitin 2006 Fran Prendi, u transferua në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krime të Rënda dhe për një periudhë shumë të shkurtër kohore ka qenë edhe gjyqtar në GJKKO.

Çfarë thotë policia:

Më datë 19.11.2024, rreth orës 00:36, në rrugën “Xhanfize Keko” , dyshohet se është qëlluar me armë zjarri shtetasi K. P., rreth 30 vjeç, i cili është transportuar në spital për ndihmë mjekësore por si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë.

Rreth orës 01:05, në afërsi të Liqenit të Farkës është konstatuar duke u djegur një mjet tip “Audi”.

Një grup i posaçëm hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen e plotë rrethanave të ngjarjes, dokumentimin e plotë ligjor të saj, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve të dyshuar.

Dinamika e atentatit

Pak pas mesnate (19 nëntor) autorë ende të paidentifikuar qëlluan me armë zjarri me silenciator në drejtim të të riut, Klajdi Prendi.

Mësohet se 30-vjeçari është mbajtur nën vëzhgim dhe monitorim nga autorët, të cilët kanë pritur momentin kur i riu është futur në automjetin e tij G-Class.

Sapo viktima është futur në makinë e kanë qëlluar me armë zjarri me silenciator. Drejt tij është qëlluar me 5 plumba.

30-vjeçari Prendi u transportua në spital në gjendje të rëndë për jetën, por si pasojë e plagëve të marra ai ka ndërruar jetë.

Policia ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë në bizneset dhe objektet pranë vendit të ngjarjes dhe po punon për zbardhjen e rrethanave dhe identifikimin e autorëve.

Rreth 1 orë pas ngjarjes, një automjet me targa të huaja u gjet i djegur në zonën e Farkës. Dyshohet se makina i përket autorëve të atentatit ndaj 30-vjeçarit.

Ndërkohë policia dhe grupi hetimor po punojnë për zbardhjen e rrethanave të këtij atentati si dhe identifikimin dhe kapjen e autorëve.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb