Tirana është tronditur në orët e fundit nga disa ngjarje kriminale, ndër të tjera edhe ekzekutimi në atentat mafioz i të riut Klaudio Prendi.
Në lidhje me këtë vrasje, gazetari Igli Celmeta, në një lidhje në News 24 ka dhënë detaje të reja nga grupi hetimor. Gazetari tha se po hetohen dy pista të arsyes së vrasjes të të riut, ajo për çështje borxhi dhe përfshirja e mundshme e viktimës në veprimtarinë e paligjshme të lojërave të fatit.
Gjithashtu, gazetari Çelmeta shtoi se në polici ka dëshmuar edhe babai i Klaudio Prendit, ish-gjyqtari Fran Prendi. Ky i fundit ka thënë përpara hetuesve se nuk ka pasur dijeni për konflikte të të birit me persona të tjerë, ndërsa ka kërkuar që vrasja e djalit të zbardhet.
Igli Celmeta: Klaudio Prendi, është djali i Fran Prendit, ish-gjyqtar. Viktima është ekzekutuar kur ka qenë duke hipur në makinë. Babai ka thënë se nuk ka pasur informacione për konflikte që mund të ketë pasur i biri. Ai ka kërkuar drejtësi nga policia për vrasjen e djalit. Klaudio Prendi dyshohet ka pasur konflikt me disa persona për çështje borxhi, por nuk dihet nëse kjo është arsyeja e krimit.
Viktima dyshohet se ka qenë përfshirë edhe në veprimtarinë e paligjshme të lotarive sportive. Policia ka zbuluar edhe armën e krimit, një pistoletë me silenciator. Autorët kur janë larguar janë kthyer te kthesa e “Venue”, kanë dalë te Rrethi i Shkozës dhe kanë djegur makinën në Farkë afër liqenit. Në këtë zonë dyshohet se i ka pritur një automjet tjetër, me të cilin janë larguar.
(BalkanWeb)