NGA KLODIANA HAXHIAJ*
DURRËS
-Identifikohet dhe shpallet në kërkim njëri prej ekzekutorëve të 50-vjeçarit Leonard Murati. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Durrësit dje bënë me dije se pas hetimeve intensive ka rezultuar se Bedri Haka nga fshati Zezë i Niklës në Krujë është njëri prej autorëve të ngjarjes së ndodhur më 18 nëntor të këtij viti në lokalin “Bar Center”, në qendër të qytetit bregdetar. Murati, baba i dy fëmijëve u qëllua me 6 plumba për vdekje në derë të lokalit në pronësi të tij. Ndërkohë, mësohet se Gjykata e Shkallës së Parë të Durrësit ka vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg” në mungesë ndaj 20-vjeçarit nga Nikla.

Ky i fundit akuzohet për “Vrasje me dashje, kryer në bashkëpunim” dhe “Armëmbajtje pa leje”. Sipas hetuesve të çështjes, dyshohet që Haka (rezulton person me precedent penalë në Itali) ta ketë kryer krimin kundrejt pagesës. Nga ana tjetër, nëna e të riut, Lindita Haka mbrëmë deklaroi për “Gazeta Shqiptare”, se djali i saj nuk është kriminel dhe nuk është vrasës. Ajo i bëri apel policisë që të gjejë autorët e ngjarjes së ndodhur në Durrës.

HETIMI
Burime pranë grupit hetimore deklaruan se dyshohet që ngjarja në qendër të Durrësit ketë marrë shkas pas prishjes së pazareve të drogës. Jo vetëm nga dëshmitë e dhëna në polici nga dëshmitarët okularë, por edhe nga pamjet e kamerave të sigurisë ka rezultuar se njëri prej ekzekutorëve të biznesmenit Murati të jetë Bedri Haka. Sipas hetuesve, 20-vjeçari mund t’a ketë bërë vrasjen kundrejt pagesës dhe se arrestimi i tij do të hidhte dritë mbi porositësit e krimit. “Haka mund të jetë shtyrë për të kryer vrasjen kundrejt ndonjë shpërblimi, pasi nuk rezulton që të ketë pasur konflikt të drejtpërdrejtë dhe njohje të drejtpërdrejtë, apo bashkëpunim në biznes me viktimën”, sqaruan hetuesit. Ndërkaq, dyshohet që 20-vjeçari nuk ka dalë nga territori i Republikës së Shqipërisë pas krimit (zyrtarisht), pasi pasaporta i është sekuestruar pak orë pas krimit nga policia e Durrësit. Po të njëjtat burime thanë se Haka është i skeduar nga drejtësia italiane, kryesisht për trafikun e drogës, ndërsa dyshohet të jetë i përfshirë edhe në vrasje. E ndërsa blutë e Durrësit punojnë për arrestimin e të riut, Lindita Haka mohoi përfshirjen e të birit në krim.
E njihnit viktimën, Leonard Murati?
Jo nuk e njohim atë person, as unë dhe as im bir. Djali im është i vogël. Madje e kam dhe të sëmurë, ka dëmtime në tru. Ne nuk duam të hymë në hasmëri me familjen e viktimës nga Durrësi. Policia më ka shpallur djalin kriminel, por ai nuk është i tillë. Të mos e kërkojnë vrasësin te ne. Shteti të gjejë vrasësin e vërtetë. Mua ma kanë vrarë burrin tim në ’97-ën dhe nuk i kam thënë djalit fare se kush e ka vrarë, pasi i kam thënë është vrarë padashje.
Është arrestuar autori i vrasjes së burrit tuaj?
Jo, s’është kapur dhe s’dua as ta di kush është.
Ku është djali juaj?
Djali im është i sëmurë dhe nuk e di ku është. Policia ta gjejë djalin tim dhe të gjejë atë që bëri vrasjen në Durrës.
Ku ka qenë djali juaj natën e vrasjes?
Ka qenë në një varrim në një fshat tjetër. Në darkë doli për të luajtur bilardo. Kaq.
Kush e përdorte makinën?
Makina ka qenë me letra të rregullta, por djali e përdorte vetëm brenda fshatit, pasi nuk kishte patentë.
Pse policia dyshon për djalin tuaj?
Makina është shkaku. Makina është e imja dhe është gjetur atë natë. Të verifikojnë të dhënat dhe shenjat e gishtërinjve. E përsëris, djali im s’kishte patentë dhe s’ka dalë jashtë zonës. Automjetin e kam blerë me para borxh. Makinën ia kanë vjedhur djalit atë natë.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: