Në emisionin “Open” në News24 është diskutuar mbi ngjarjen e rëndë të ndodhur pasditen e sotme në Shkodër, ku e ekzekutua Hamza Lici dhe mbeti i plagosur rëndë Arlind Bushati i cili humbi jetën në spitalin e Shkodrës në orët e vona të mbrëmjes.
Viktimat ndodheshin në një automjet tip “Benz S Class”.
Ndaj tyre është qëlluar me breshëri armësh kallashnikov, ndërsa dyshohet se janë dy autorë që kanë marrë pjesë në këtë atentat.
Gazetarja Klodiana Lala tha se “Hamza Lici është vëllai i Ibrahim Licit, një personazhi shumë të kërkuar, që ka pasur përplasje të fortë me grupin Bajri”.
“Kjo ishte një ngjarje që do të përvëlojë Shkodrën. Hamza Lici ishte duke udhëtuar me Arlind Bushatin, me të cilin ishin lidhur shumë kohët e fundit. Familja Bushati është një familje me tradita, një ndër më të njohurat në Shkodër, që nuk kanë pasur probleme.
Arlind Bushati ishte i lidhur fillimisht me Astmer Bilalin, më pas ishte hedhur në krahun tjetër, te Licët”, tha gazetarja Lala.
Ajo tha se mund të kenë qenë dy ekzekutorë, që kanë qëlluar me breshëri armësh ndaj automjetit ku ishin Lici dhe Bushati.
Lala u shpreh se qëllimi i atentatorëve është që t’i vrisnin të dy, si Hamza Licin ashtu edhe Arlind Bushatin.
Gazetarja ka bërë një bilanc të përplasjeve që kanë ndodhur në Shkodër, duke theksuar se janë me dhjetra viktima.
“Duhet një reagim i shpejtë, Arlind Bushati duhej të ishte marrë në mbrojtje, pasi 3 javë më parë kishte denoncuar se ishte kërcënuar, se ishte i rrezikuar për jetën. Si ka mundësi që ata lëviznin me një automjet me targa të huaja, që kishin edhe armë dhe askush nuk i kontrollonte? Si ka mundësi që nuk u mor në mbrojtje Arlind Bushati? Kjo situatë më tremb”, tha Lala.