Kryeqyteti i Katarit do të jetë rezidenca e fundit për kreun e zyrës politike të Hamasit, Ismail Haniya, trupi i të cilit mbërriti dje në Doha, pak përpara varrimit. Tashmë pamjet nga kortezhi i varrimit në Teheran kanë bërë xhiron e botës, ku trupi i Haniya është ndjekur nga turma njerëzish, por edhe thirrje për hakmarrje.

Zgjedhja e Dohas si rezidencë përfundimtare për liderin e lëvizjes islamike palestineze nuk është e rastësishme, pasi Haniya jetoi për disa vite në Katar, ndërsa në periudhën e fundit ai ishte bashkëbiseduesi kryesor nga pala palestineze në negociatat për armëpushimi dhe lirimi i pengjeve.

Ismail Haniya pritet të varroset pas lutjeve në xhaminë Imam Mohammad bin Abdel Wahab, më e madhja në kryeqytetin e Katarit, në një kohë kur disa vende, përfshirë Turqinë, shpallën zi kombëtare për humbjen e tij dje. “Na forcove çdo ditë, duke na bërë të fortë dhe të vendosur si hekuri. Ne ju detyrohemi gjithçka”, tha e veja e Haniya, duke pritur dje trupin e burrit të saj. Ndërkohë, prania e liderit suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, gjatë procesionit mortor të liderit palestinez u shoqërua me thirrje të turmës si “Vdekje Izraelit” dhe “Vdekje Amerikës”, duke e intensifikuar më tej atmosferën e tensionuar.

Megjithatë, në të njëjtën kohë, me ceremoninë e varrimit për Ismail Haniya, u njoftua vdekja e Mohammed Deif, një udhëheqës i lartë ushtarak i Hamasit, i cili u vra në sulmet izraelite në Khan Younis, në jug të Gazës. Në sfondin e ngjarjeve të stuhishme, Hamasi dhe Irani fajësuan Izraelin dhe u zotuan për hakmarrje. Në një funeral të dytë, për komandantin e lartë të Hezbollahut, Fuad Shukr, i cili u vra në një sulm ajror izraelit në Bejrut, udhëheqësi i grupit militant, Hassan Nasrallah, paralajmëroi për një “fazë të re” në konflikt.

Teksa tensionet shtohen, Presidenti Joe Biden po peshon nevojën për më shumë mbrojtje të SHBA-së në Lindjen e Mesme ndërsa Pentagoni përgatitet për hakmarrjen iraniane kundër Izraelit. Zyrtarët amerikanë thonë se përgjigja iraniane mund të përfshijë edhe një sulm ndaj forcave amerikane. Në një telefonatë dje me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, Joe Biden i tha atij se SHBA “do të mbështesë mbrojtjen e Izraelit kundër kërcënimeve”, e cila do të përfshijë “dislokime të reja ushtarake mbrojtëse”, sipas burimeve të njohura me përmbajtjen e bisedave. Në të njëjtën kohë, Sekretari i Jashtëm Anthony Blinken u bëri thirrje “të gjitha palëve” të ndalojnë përshkallëzimin e veprimeve, mes frikës se konflikti mund të përshkallëzohet në një luftë rajonale në të gjithë rajonin.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb