Migena Begolli, mësuese e ciklit fillor në Gjermani, në rubrikën “Opinion” në News24, duke folur për vrasjen e nxënësit Martin Cani nga një bashkëmoshatar i tij, e cilësoi një ngjarje shumë të rëndë.
Ajo tha se ishte një rast tragjik, ndërsa duke dhënë eksperiencën e saj nga Gjermania, Begolli u shpreh se edhe atje ndodhin përplasje mes fëmijëve, por nuk arrihet në këtë masë sikundër ndodhi në qendër të Tiranës.
Begolli tha se është një fenomen i një modeli social që po ndodh në çdo shoqëri, jo vetëm në Shqipëri.
“Në Gjermani konstatohet një reduktim i thelluar i edukimit të fëmijëve nga prindërit. Familja është hallka e parë e formimit dhe edukimit të fëmijëve, më pas vijon me kopshtin dhe shkollën, që është një nga institucionet më të rëndësishme në formimin e fëmijëve. Fëmija nuk është armiku i sistemit, por është pasyra e shoqërisë, e ambientit”, tha Begolli.
Ajo tha se nëse ka një zënke apo përplasje mes nxënësve, ajo direkt diskutohet mes mësuesve dhe fëmijëve të përfshirë në konflikt. “Nëse situata është më e rëndë, atëherë përfshihen edhe psikologët, prindërit, stafi pedagogjik, dhe nëse kalon kufijtë e shkollës, atëherë njoftohen strukturat përkatëse”, tha Begolli.
Ajo u shpreh se në Gjermani organizohen sensibilizimi me tema të ndryshme. “Nëse konstatohet se familja nuk bën asgjë lidhur me edukimin e fëmijëve, atëherë ndërhyjnë zyrat e fëmijëve. Në Gjermani ka një zinxhir që synon parandalimin e konflikteve apo përplasjeve”, tha Begolli. Sipas saj, hallka që nuk funksionin siç duhet në Gjermani janë pikërisht prindërit, që përgjithësisht kanë një indiferencë.
Begolli tha se po krijohet modelet që “unë jam i fortë, që i zgjidh vetë”, dhe mësuesi shikohet si një animator.