Prokuroria e Posaçme e Kosovës ngriti të hënën akuzë ndaj 6 personave në lidhje me vrasjen e politikanit lokal serb, Oliver Ivanoviç në janar të vitit 2018.

Në një njoftim të prokurorisë thuhet se “N.S., M.R., S.A., D.M., Z.J., R.B. akuzohen për veprat penale ‘pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar’, ‘keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’, ‘ndihmë në kryerjen e veprës penale; Vrasje e rëndë’, ‘mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve’, ‘zbulimi i fshehtësisë zyrtare’, ‘keqpërdorim i detyrës zyrtare në bashkëkryerje’ dhe ‘manipulim me prova, në bashkëkryerje”.

Në njoftim thuhet se “të pandehurit N.S., M.R. dhe R.B., të cilët gjenden në paraburgim, si dhe M.R., Z.V dhe Zh.B., të cilët gjenden në arrati, ndaj të cilëve gjykata kompetente ka lëshuar urdhër arrest dhe letër rreshtim ndërkombëtar në bazë të kërkesës së Prokurorisë Speciale, duke vepruar si grup kriminal i organizuar me strukturë dhe hierarki në grup, me role të përcaktuara formalisht, i cili grup kriminal nuk është formuar rastësisht, por është duke vepruar që nga viti 2011 e këndej, të cilin grup e udhëheqin të pandehurit Z.V. dhe M.R, të cilët gjenden në arrati, ku të gjithë këta të pandehur veprojnë në vazhdimësi dhe në bashkëpunim, me dashje dhe dijeni të qëllimit dhe veprimtarisë së përgjithshme të grupit kriminal të organizuar ose qëllimit të grupit për të kryer një apo më shumë vepra penale.

Të pandehurit aktivisht kanë marrë pjesë në veprimtaritë kriminale të grupit duke ditur se pjesëmarrja e tillë do të kontribuojë në realizimin e veprimtarive kriminale të grupit dhe realizimin e përfitimit të drejtpërdrejtë apo të tërthortë të dobisë financiare apo dobisë tjetër pasurore, me qëllim të shtrirjes së kontrollit të bizneseve në territorin dhe kontrollin e politikës në pjesën veriore të Mitrovicës.

Ky grup kriminal ka kryer veprat penale “Vrasje e rëndë”, “Ndihmë në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë”, “Keqpërdorimi i detyrës zyrtare” dhe “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm në territorin e Republikës së Kosovës”.

Po ashtu, secili nga të pandehurit kanë kryer veprime inkriminuese-konkrete për grupin në fjalë, me ç’rast veprimtaritë e këtij grupit kriminal të organizuar kanë rezultuar me vrasjen tani të të ndjerit Oliver Ivanoviq, ku paraprakisht nga i njëjti grup i është djegur edhe vetura e tij. Me këto veprime të pandehurit kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, thuhet mes tjerash në njoftimin e prokurorisë.

Akuza nuk e sqaron se kush mund të ketë kryer vrasjen. Udhëheqësi i nismës qytetare serbe, “Liria, Demokracia, Drejtësia”, Oliver Ivanoviç, është vrarë me armë zjarri më 16 janar të vitit 2018 në veriun e Mitrovicës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb