Është arrestuar për vrasje në rrethana të rënduara dhe është dërguar në burgun e Monzas mbrëmjen e kaluar 35-vjeçari maroken Bouchaib Frihi, i cili rrëfeu vrasjen e gruas së tij Fjoralba Nonaj, 34-vjeçare.

Shqiptarja që punonte prej kohësh në Itali, por ishte në proces divorci prej disa muajsh u vra me thikë në prani të djalit 5-vjeçar, brenda makinës së saj në Seregno (Monza) pasditen e djeshme.

Sipas rezultateve të para të hetimeve, gruaja është qëlluar disa herë me thikë në qafë, në gjoks dhe në bark. Autopsia, të cilës do t’i nënshtrohet trupi i pajetë i gruas, do të qartësojë numrin e saktë të goditjeve me thikën e kuzhinës nga burri i saj maroken. Arma e krimit është sekuestruar menjëherë pasi marokeni u dorëzua në polici dhe rrëfeu krimin.

Fëmija 5-vjeçar i çiftit, ka qenë i pranishëm kur babai i tij ka qëlluar mbi nënën disa herë me thikë. Madje 35-vjeçari maroken pasi ka vrarë gruan nuk e ka kthyer kokën pas, duke e lënë të birin tek shikonte nënën e tij të mbuluar nga gjaku teksa jepte shpirt. 5-vjeçari është shoqëruar në spital në gjendje shoku dhe i është besuar shërbimeve sociale që do të kujdesen për të.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb