Ish-kryeministri i vendit Sali Berisha përmes një statusi në “Facebook” ka reaguar pas vrasjes së një të riu shqiptar në burgjet greke.

Berisha shprehet se burgjet greke po kthehen në një kasaphanë për shqiptarët, kurse iu bën thirrje autoriteteve ndërkombëtare për të inspektuar situatën në burgjet e vendit fqinj.

Reagimi i Berishës:

Burgjet e Greqise kasaphane për shqiptarët!

Miq, në burgun famëzi të Trikallos theret si në kasaphanë një 29 vjeçar shqiptar, i dyti ky që vritet në këtë burg në harkun kohor 20 ditor.

Këto akte barbarie të përsëritura, viktima të të cilave janë shqiptarët, shprehin frymën raciste antishqiptare si dhe standardet mesjetare që zotërojnë në burgjet e Greqisë.

Shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes së viktimës dhe denoj me ashpërsinë më të madhe terrorin, vrasjet, therjet e shqiptarëve si në kasaphanë në burgjet e Greqisë si dhe indiferencën me të cilën e percjellin këtë situatë barbarie autoritetet përgjegjëse të Greqisë dhe Zografi bis me klikën e tij në Tiranë.

Me këtë rast i bëj thrrje Komitetit Europian për Parandalimin e Tortures dhe Trajtimit ose Ndëshkimit Çnjerëzor, Degradues pranë Këshillit të Europës, Komitetit Kundër Torturës të OKB, institucioneve të tjera ndërkombëtare të të drejtave të njeriut të ndërmarrin me urgjencë një inspektim në të gjitha institucionet e vuajtjes së dënimit në Greqi, të njihen me frymën raciste që ekziston ndaj shqiptarëve dhe me kushtet çnjerëzore, torturat fizike dhe psiqike shtazore, mesjatare që ushtrohen ndaj tyre në këto burgje.

Ftoj këto institucione të konsiderojnë aplikimin e neneve ndëshkuese të Konventës Ndërkombëtare Kundër Tortures ndaj Greqisë dhe të detyrojnë atë të ndryshojë me urgjencë në përputhje me zotimet dhe detyrimet e saj ndërkombëtare gjendjen katatstrofale të burgjeve të saj. sb

 (d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb