Nga: Armir Mehaj*

TIRANE- News24 udhëtoi drejt fshatit Gojan, në lartësitë e të cilit ndodhet dhe familja Gjoni, e djalit që u vra mëngjesin e së martës nga një pensionist italian në Milano të Italisë. Dyert e shtëpisë së Mark Gjonit prej ditësh janë të hapura për mort, ndërsa dhimbja ka pllakosur çdo gjë në fshat. Marku, bashkëshortja e tij Maria dhe të afërm të tjerë krahas dhimbjes për Gjergjin, të cilin nuk e kishin parë prej katërmbëdhjetë muajsh, për shkak të migrimit në Itali vuajnë dhe paragjykimet për birin e tyre, ndërsa shprehin bindjen e plotë se Gjergji nuk ishte vjedhës e as grabitës siç po cilësohet.

Babai i tij më peshën e dhimbjes thotë se djali nuk mund të kryente kurrë një vepër të tillë dhe shpreson që e vërteta të dalë në dritë. “Ende nuk po mund ta bësoj çfarë na ka ndodhur. Kemi humbur djalin që punonte çdo ditë të na mbante. Gjergji ishte prej 14 muajsh në Itali dhe kurrë ai nuk mund të ishte vjedhës. Çfar do vidhte Gjergji im në mjediset e jashtëme të italianit, pse ai është qëlluar nga banesa në rrugën para banesës, ndërkohë që shumë pranë kësaj banese djali ime jetonte bashkë me të fejuarën e tij, një rumune për të cilën ne ishim në dijeni dhe na ka ardhur dhe në shtëpi. Shteti ta zbardhë të vërtetën dhe ju lutem të më ndihmojnë për rikthimin e djalit të pajetë në shtëpi. Kemi shumë dhimbje dhe nuk mund të përballojmë dhe mungesën e trupit pa jetë. Siç po e shikoni ne kemi hapur mortin që nuk do ta mbyll deri sa arkivoli i Gjergjit të më vijë” – thotë i ati, Mark Gjergji.

Ashtu i përlotur, pa mundur të bëjë diçka për rikthimin e trupit të pajetë, Mark Gjoni i bën thirrje ambasadës shqiptare në Itali të merret me çështjen e të birit pasi ai nuk mund të trajtohet si kriminel kur nuk është i tillë. “I kërkoj Ambasadës shqiptare në Itali të mos heshtë për këtë rast deri sa të zbardhet e vërteta. Ambasada është nëna e shqiptarëve atje, ndaj të interesohet për atë çfarë i ndodhi djalit tim”.

Trupi i pajetë i 22-vjecarit Gjergj Gjoni u gjet mëngjesin e së martës në shkallët e një godine private në një nga rrugët e Milanos. Policia italiane identifikoi autorin e vrasjes, një 65-vjeçar, i cili u justifikua se kishte kryer vrasjen, por vetëmbrojtje por ishin prokurorët e çështjes që hodhën poshtë justifikimin nisur dhe nga mënyra se si është kryer vrasja. Një ndër pistat e cila pritet të rezultojë e vërtetë është dhe ajo e tentativës së italian për të përdorur të riun. por refuzimi i këtij të fundit i ka kushtuar vdekjen. Trupi i pajetë i Gjergj Gjonit u identifikua nga e fejuara e tij, një shtetase rumune me të cilën bashkëjtonte me dijeninë e familjes prej dy vitesh në Itali.
(ma.ar/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb