TIRANË- Ish-drejtuesi i lartë i Policisë së Shtetit Mithat Havari ka folur sot në studion e News24 në rubrikën “Opinion” për situatën në vend, krimet dhe aksidentet. Në bisedë me gazetaren Ola Bruko, Havari u ndal tek vrasja e studentes Ariela Murataj nga Aldison Beluli.

Nisur nga deklaratat e motrës, kushërirës dhe të afërmve të tjerë se kanë telefonuar policinë për ndihmë, ish-drejtuesi i policisë tha se telefonata e tyre ka qenë sekondare, pasi ka qenë vonë. Ai tha se çelësi është parandalimi i krimit, duke këmbëngulur për punën e inspektorëve në terren, tek njohja e personave të rrezikshëm, raporton “BalkanWeb”.

“Armët kanë rënë në duart edhe të njerëzve si atij djalit që vrau atë studenten. Të marrësh përsipër të thuash s’do ndodhtë po të isha unë do isha një megaloman i madh. Ne mundoheshim, punonin fort për parandalimin. Duhet të punojnë strukturat. Telefonatat e tyre kanë qenë sekondare, ka qenë gati e vdekur. Nga vendi i ngjarjes deri tek komisariati 4, e kam parasysh distancën deri sa të vinte policia e kishte mbaruar misionin. Çelësi është parandalimi. Strukturat e policisë duhet të jenë syhapur duhet të jenë prezentë nëpër lagje, fshatra. Aty mund të raportojnë për persona të ndryshëm, që lëvizin me armë, që janë të dehur etj”, deklaroi Havari.

Ai tha se ndërrimi i drejtuesve të policisë është në dëm të saj pasi krijohen boshllëqe.
“Në Shqipëri është praktikë negative kur ndërrohen ministrat ndërrohen edhe drejtorët e policisë. Policia e Shtetit sot është në stanjacion. Kështu krimi gjen boshllëqe. Këta emra në krime që shoh tani, në periudhën që kam qenë unë nuk janë dëgjuar. Policia e Shtetit deri sa të zgjidhet drejtori i ri duhet të lëvizë. Tek njerëzit situata krijon stres, shqetësim. Aksidentet, vrasja mbrëmë që ishte shumë e rëndë, pavarësisht se bëhet fjalë për larje hesapesh”, tha Havari.

Ai deklaroi se posedimi i armëve nga shumë njerëz sot është një zile alarmi për policinë.
“Përveç armatosjes së popullit në 97-ën e trazuar, më pas duke përfituar nga situata siç ishte kanabisi, armët kanë lëvizur nëpër duar. Kjo është një zile alarmi për Policinë e Shtetit. Inspektorët e zonave e kanë situatën në dorë dhe duhet të punojnë nëpër zona”, tha ish-drejtuesi i policisë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: