Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për shtetasin Lorenc Veliaj, i arrestuar pas vrasjes së 26-vjeçarit Indrit Çelaj, në vilën e familjes Kusi, në “Myslym Shyri”. Veliaj u arrestua pas vrasjes së të riut me plumb në kokë nga dy vëllezërit, djem të vilës 3-katëshe, në të cilën viktima po punonte për kondicionim.

Ishte pikërisht dëshmia e Veliajt, që ndihmoi policinë të zbardhte ngjarjen kriminale, të ndodhur dy ditë më parë në Tiranë. Ai ka qenë i pranishëm në momentin kur dy vëllezërit Albano dhe Griseldo Kusi janë konfliktuar me punëtorin e tyre, Indrit Çelajn, dhe e kanë qëlluar me armë.

Autorët e krimit i kishin kërkuar shokut të tyre, Lorenc Veliajt, të merrte përsipër krimin, duke qenë se ai rezultonte person me precedentë penalë, gjë tëcilën e ka pranuar, por pas arrestimit, ka vendosur të tregojë të vërtetën para uniformave blu. Ai akuzohet për “Shkatërrim prone” dhe “Armëmbajtje pa leje”, por edhe për vepra të tjera penale.

Për vrasjen e 26-vjeçarit Çelaj janë arrestuar Bujar Kusi, babai i autorëve të vrasjes, për fshehjen e krimit; Ferdinand Bakalli e Luan Çaka për ‘’moskallëzim të krimit’’, si dhe Edmond Sula, si bashkëpunëtor në vrasje.

(d.ç./BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb