Policia e Shtetit ka zbuluar se pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Dhërmi, ku besohet se është vrarë shtetasi Eraldo Nevruzi, është arrestuar autori i dyshuar Gerald Shehu pas shkëmbimit të informacioneve me partnerët e palës greke.

Sipas njoftimit të autoriteteve si rezultat i veprimeve hetimore, po ashtu është gjetur dhe sekuestruar një automjet tip “Audi”, që besohet se është përdorur nga autori në këtë ngjarje.

Sakaq, grupi hetimor ende po vijon punën për gjetjen e shtetasit Eraldo Nevruzi, teksa është raportuar se kërkime janë zhvilluar në zonën e Vunoit dhe në Dhërmi, ku dyshohet se mund të jetë hedhur trupi i pajetë.

Njoftimi i policisë:

Në vijim të hetimeve intensive për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur në Dhërmi dhe shkëmbimit të informacioneve me partnerët, për lokalizimin dhe kapjen e autorit të dyshuar, ju informojmë se:

Falë një sërë informacionesh kyçe të siguruara nga strukturat e Policisë së Shtetit, për vendndodhjen e autorit të dyshuar, dhe bashkëpunimit të ngushtë me autoritetet ndërkombëtare, veçanërisht me Policinë greke, është bërë i mundur lokalizimi dhe ndalimi i shtetasit G. Sh., i cili dyshohet të jetë autor i kësaj ngjarjeje kriminale.

Po si rezultat i veprimeve hetimore, në lagjen nr.4, Sarandë, është bërë e mundur gjetja dhe sekuestrimi në cilësinë e provës materiale i automjetit tip “Audi”, i dyshuar i përdorur nga autori në këtë ngjarje.

Grupi hetimor vijon punën intensivisht, në koordinim me Prokurorinë, për gjetjen e shtetasit E. N. dhe për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb