“Arrestimi i personit të dyshuar, Fatmir Kuçi, është i paligjshëm”. Avokati i biznesmenit të arrestuar më 4 gusht, si i dyshuar për ngjarjen ku mbeti i vdekur një turist rus, kërkon lirimin e tij. Përfaqësuesi ligjor i Kuçit, Alban Qafa, në një reagim për gazetën “Panorama”, rendit argumentet pse arrestimi është i paligjshëm.

“Së pari, është bërë në kundërshtim me Kodin e Procedurës Penale, pasi në këtë rast nuk jemi para gjendjes së flagrancës, pasi personi nën hetim nuk u kap në kryerje e sipër të veprës penale. Së dyti, nga aktet rezulton se ky shtetas, pasi konstatoi të dëmtuarin në det, ka ndaluar mjetin e tij, e ka kthyer dhe i ka vajtur në ndihmë, si dhe u ka kërkuar ndihmë personave që ndodheshin në një mjet lundrimi mbas tij dhe së bashku me një tjetër person, kanë mundur ta hipin në mjetin e tij të dëmtuar dhe ta sillnin në mol. Ai ka lajmëruar zv.shefin e kufirit të Himarës, Hekuran Muça, për ngjarjen.

Policia e Himarës nuk i ka vajtur në ndihmë. Ka lajmëruar ambulancën vetë, e ka zbritur të dëmtuarin me ndihmën e personave të tjerë për ta nisur në qendrën shëndetësore të Himarës dhe më pas është interesuar për gjendjen e tij”, thekson avokati.

Më tej, Qafa përmend edhe rrethana të tjera që, sipas tij, tregojnë paligjshmërinë e arrestimit. “Vetë Kuçi ka shkuar në postën e Himarës për të dhënë sqarime, i ka kërkuar të shkojë në vend për të parë mos kishte të tjerë të dëmtuar, të merrte njollat e gjakut e shenja të tjera të nevojshme të hetimit”.
Ndërkohë, avokati shton edhe faktin se duhet marrë parasysh që Kuçi po drejtonte mjetin matanë zonës së sigurisë, e përcaktuar si 200 metra nga Bashkia Himarë, ndërsa turisti, sipas dëshmisë të së shoqes, bënte not nga Livadhi në Himarë, pra përshkruante me not një distancë përtej 200 metrash.

“Organi i akuzës ka vetëm një indicie, dëshminë e fëmijës 11 vjeç të biznesmenit, marrë në kundërshtim me ligjin dhe kur ishte i tronditur. Nuk është marrë në pyetje asnjë nga personat që nxorën nga deti të dëmtuarin bashkë me Kuçin”, tha avokati, duke theksuar se masa e sigurisë arrest me 20 ditë është e paligjshme”.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: