Arrestohet një tjetër person për pengmarrjen e 49-vjeçarit Jan Prenga në Kamëz. Gazetarja Dorjana Bezat raporton për “BalkanWeb” se është arrestuar në Kavajë 30-vjeçari Festim Bexhdili.

49-vjeçari Prenga u mor peng, u dhunua dhe u rrëmbye më 17 janar, në Kamëz, por vetëm një ditë më parë, policia konfirmoi vdekjen e tij nga humbja e gjakut, pas dhunës e torturave, ndërsa u arrestuan katër persona, Bajram Hajri, djali i tij, Leonard Hajri, Olsi Turja dhe Elton Hajri.

Në aksionin, që vijon nga forcat RENEA dhe policitë e disa qyteteve, është kapur në Kavajë anëtari i pestë i grupit, që vranë në mënyrë makabre 49-vjeçarin. Nga raportimet e ditës së djeshme, “BalkanWeb” mësoi se ngjarja horror lidhet me të shkuarën kriminale të vëllait të viktimës në Britani, ku bëhet fjalë për një sasi prej 300 kg kokainë, që ai nuk e ka dorëzuar te grupi i trafikantëve.

Njoftimi i policisë:

Tiranë

Shkon në 5 numri i të arrestuarve në lidhje me pengmarrjen, me pasojë vdekjen e shtetasit J. P.

Sektori për Krimet e Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në vijim të veprimeve të kryera për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes mbi rrëmbimin e shtetasit J. P., të ndodhur në rrugën “London”, Kamzë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kavajë, ka bërë ndalimin e shtetasit F. B., 30 vjeç, banues në Kavajë.

Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera nga Sektori për Krimet e Rënda në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Departamentin e Policisë Kriminale, nën drejtimin e Prokurorisë, dyshohet se ky shtetas, në bashkëpunim me 4 shtetasit e ndaluar më parë dhe me shtetas të tjerë, e kanë rrëmbyer për ta mbajtur peng, shtetasin J. P., më datë 17.01.2020, në Kamzë.

Në cilësinë e provës materiale shtetasit F. B. i janë sekuestruar dy telefona dhe një sasi prej 850 eurosh. Për shkak të rëndësisë së hetimit, nuk bëhen të ditura detaje të tjera.

Sektori për Krimet e Rënda në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë vijon punën për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje dhe gjetjen e trupit të shtetasit J. P.

Materialet do i kalohen për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Tiranë, për veprat penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”, “Veprime që pengojnë zbardhjen e të vërtetës”, “Përkrahja e autorit të krimit”, të kryera në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb