TIRANË- Ngjarja makabër e familjes Toshi në Korçë, ku babai vrau dy fëmijët e mitur dhe më pas veten ka qenë sot tema e emisionit “Me zemër te hapur” në News24. Ndryshe nga çfarë është deklaruar edhe zyrtarisht nga policia, babai i 41-vjeçarit Andrea Toshi akuzon nusen e djalit, Marselën, nënën e dy fëmijëve për vrasjen. Por ai ngre dyshime të tjera dhe thotë se natën e krimit, sipas fqinjëve në shtëpi kanë qenë edhe 3 persona të panjohur. Natën e krimit Marsela Toshi, nga të dhënat në sistemin TIMS në kufi provohet se ka hyrë në orën 02:00 dhe ka dalë sërish në orën 05:00 të mëngjesit nga Kapshtica për në shtetin grek. Sipas babait, ka pasur një dëshmitar fqinj i çiftit që ka parë 3 veta që kanë hyrë në shtëpi dhe më pas e kanë pritur poshtë pallatit Marselën.

Ai ka rrëfyer tmerrin e përjetuar ditën e krimit dhe marrëdhënien me nusen e djalit dhe Naumin. Gjatë gjithë bisedës në studio, i moshuari, babai i 6 fëmijëve ka qarë dhe thotë se që në fillim i kishte thënë djalit të tij se “Marsela do t’i hante kokën”. Andrea Toshi i bën apel organeve të hetimit për zbardhjen e së vërtetës. Ai nuk beson se aktin makabër e ka kryer i biri dhe akuzon nusen e djalit si kriminele.

I ati i Naumit, ANdrea tha edhe se familja e tij ndjehet e kërcënuar. “Ndjehemi të kërcënuar, vijnë dy lloj makinash një me targa greke një me targa shqiptare. Unë nuk trembem nga trimat kë ka ajo tutor, s’duam ta dimë ajo të dënohet se u vranë dy fëmijë. Ajo makinë me targa greke është parë edhe tek varrezat, atë natë Marsela është larguar me këtë targë dhe vjen vërdallë këto ditë”, tha ai

Si ndihesh, ke qenë edhe dëshmitari i parë?
Andrea: Unë jetoj në shtëpinë e çupës, djali jetonte në shtëpinë time. Vajta të hapja pulat dhe gjeta letrën e më pas u ngjita lart dhe pashë çfarë kishte ndodhur. (qan)

Kur e kishe takuar Naumin?
Në mbrëmje e kisha takuar. Më tha thuaj motrës të vijë të më bëjë një lakror. Vajti ajo e bëri dy lakrorë.

Cila ishte biseda e fundit me Naumin?
Vetëm këtë. Qëkur e mori i thashë do të hajë kokën. Kishte 5 vjet i martuar.

Ju nuk e keni dashur asnjëherë Marselën?
E kemi dashur si nuk e kemi dashur. E kemi trajtuar më mirë se 3 nuset e tjera. Kur iku djali në Greqi, ajo tha do iki dhe unë baba. Do iki në një vend dhe erdha. Prit 2 e prit 3 orë e hiç. Fëmijët loznin. Kur erdhi i thashë ç’u bëre. Nuk më ktheu përgjigje. I shkova pas i thashë pse s’më kthen përgjigje, ku ishe. Brodha tha. S’të vjen turp si flet kështu i thashë.

Kur erdhi djali i tregova. Ikën të dy e folën, se di çfarë bënë. Që atë ditë nuk pija kafe më me ata. Shkoja tek djali tjetër.

Ju nuk flisnin më me të?
Flisja me ta por nuk pranoja të pija më kafe me ta.

Si ishte marrëdhënia e tyre, si shkonin?
Ata shkonin shumë mirë. Por kur ika unë, ajo kishte zënë një dashnor, ngjitur me shtëpinë e djalit tjetër. Ajo bënte tërë marifetet. Një ditë e ruan djali dhe i thotë, u zunë.

Sa kujdesej Marsela për fëmijët?
Ajo 4 ditë u largua nga shtëpia. Denoncoi në polici në Greqi se Naumi e kishte goditur. I mbante djali tjetër që është andej fëmijët.

A u dënua Naumi pas denoncimit?
Jo, nuk u dënua.

A punonte Naumi?
Po punonte, si qeni. Djali më i mirë. Marsela nuk ka pirë ujë por amita.

Po Marsela a punonte?
Jo asnjëherë.

Kushëriri: Naumi ka patur 4 mln lekë në bankë, 2 mln ia ka dhënë Marselës. Nuk kanë pasur probleme ekonomike. Ka punuar pak kohë në duhan. Pastaj u mbyll dhe nuk punoi më.

Ju thoni se nuk e ka kryer Naumi krimin?
Jo nuk e ka kryer ai. Natën e krimit kanë qenë 3 veta që nuk i njohim në banesë. E kanë parë fqinjët që kanë thënë se Marsela ka qenë natën e krimit në shtëpi dhe jashtë e priste një makinë.

Pse nuk u lejua Marsela në varrim?
Nuk e ndaloi njeri. Ishte familja e Marselës në varrim. Ata kishin ardhur dhe kishin frikë të hynin. Dola i futa brenda. Nëna e Marselës ka qarë. I thashë çfarë kishte ndodhur. I çuam edhe tek varret dhe vunë nga një lek hekuri në varr. Kunati qëndroi me mua në shtëpi.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb