TIRANE – Nazime Visha, 20-vjeçarja e dënuar me 10 vjet burg për “vrasje me paramendim” në dëm të Fiqiri Muçës, ka përfituar tre muaj ulje dënimi. Gjykata e Tiranës i ka dhënë “Ok” kërkesës për ulje dënimit të bërë prej saj në fund të muajit tetor. Pasi ka shqyrtuar provat e paraqitura në proces, përfshi raportin e vlerësimit të sjelljes së të dënuarës në qelitë e burgut 325, gjykata ka vendosur uljen e dënimit të 20-vjeçares në masën 90 ditë. Vendimi në fjalë u shpall më 19 nëntor nga gjyqtarja Migena Laska. Koha prej 90 ditësh do t’i ulet pjesës së pavuajtur të dënimit që Visha mori për autorësinë e ngjarjes së 13 gushtit 2012 në Krrabë ku qëlloi me kallashnikov disa herë shtetasin Fiqiri Muça me të cilin kishte pasur një raport intim disa muaj para krimit. Sipas gjykatës, Vishës i kanë mbetur për të vuajtur edhe 5 vite e 5 muaj e 18 ditë. Në vendim citohej raporti i vlerësimit të sjelljes së të dënuarës Visha në burgun “Ali Demi” në kryeqytet. Në raport thuhej se Visha nuk shprehet në lidhje me veprën penale të kryer prej saj. Nga ana tjetër, rezulton se ajo ka respektuar me korrektesë rregulloren e brendshme dhe nuk është ndëshkuar me masë disiplinore për periudhën 1-vjeçare. Po ashtu, citohet se Visha ka marrëdhënie të mira me personalin, bashkëvuajtëset dhe familjarët e saj, si dhe është e punësuar në organikën e institucionit. Përveç përfitimeve nga koha e paraburgimit, nga puna e ushtruar në burg, Visha ka përfituar 2 muaj e 4 ditë. “Nga aktet e marra në shqyrtim rezulton se e dënuara për periudhën njëvjeçare ka sjellje korrekte në IEVP, respekton rregulloren, rrethana këto që bëjnë që e dënuara të ketë dhënë prova për ri-integrim në shoqëri gjatë qëndrimit të saj në institucionin e vuajtjes së dënimit”, argumentonte gjykata vendimin për ulje dënimi të Vishës. Një vit më parë, Presidenti i Republikës refuzoi një kërkesë të disa personaliteteve të njohura të letërsisë dhe artit për faljen e dënimit të Nazime Vishës. Refuzimi i faljes u bë, siç u tha zyrtarisht, për shkak të problemeve ligjore dhe procedurale në kërkesën e paraqitur. Kërkesa në fjalë ishte trajtuar nga Ministria e Drejtësisë dhe më pas ishte dërguar në Presidencë, por kreu i shtetit refuzoi faljen e të dënuarës për akuzën e vrasjes. Sipas Prokurorisë, Nazime Visha e ka kryer vrasjen e Fiqiri Muçës me paramendim.

(er.nu/panorama/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb