TIRANE- Gjykata e Tiranës ka liruar pronarin e lokalit Redi Popesku, ku ndodhi vrasja në ish Bllok në datë 4 tetor. Gjykata e Tiranës ka vendosur masën ‘arrest shtëpie’ për pronarin e lokalit.

Avokati mbrojtës i Redi Popeskut tha se vendimi për i gjykatës për  klientin e tij nuk është i drejtë, pasi nuk ka fshehur asnjë armë siç pretendohet.

“Vendimi i gjykatës së Tiranës për Redi Popeskun nuk është i drejtë dhe nuk mund të caktohet masë sigurie. Popesku nuk mund të lihet me arrest shtëpie, pasi nuk ka fshehur asnjë armë. Kur policia bëri kontrolle nuk gjeti armën, jo që s’u dorëzua. Deri më sot nuk është dorëzuar arma me leje”- tha avokati.

Redi Popesku u arrestua dy ditë më parë me dyshimet se po pengon autoritetet për të hedhur dritë mbi ngjarjen në lokalin e tij.

Më herët burime nga Prokuroria thanë për “BalkanWeb” se Popesku, që është edhe një nga dëshmitarët kyç në ngjarje, ka refuzuar në mënyrë të përsëritur kërkesën për të dorëzuar një pistoletë të cilën e disponon me leje. Institucioni i akuzës këmbëngul për sekuestrimin e armës, për të konfirmuar përmes ekspertizës balistike, nëse me të është realizuar qitje, çka do ta ndryshonte tërësisht rrjedhën e ngjarjes, ku mbeti i vrarë Fabian Gaxha, ndërsa të plagosur Ervis Martinaj dhe Elion (Esmerald) Hato.

“Biznesmeni Popesku thanë burimet, ka pranuar të dorëzojë vetëm një armë gjahu, të cilën gjithashtu e disponon me leje, por kjo nuk i shërben hetimit, pasi në ngjarje, dyshohet të jenë përdorur tri pistoleta”.

Njoftimi i policise për arrestimin e Popeskut:
Arrestohet një tjetër shtetas në lidhje me ngjarjen e ndodhur në një lokal në mbrëmjen e 04.10.2018 ku mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi F. G., dhe u plagosën shtetasit E. H., dhe E. M.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës arrestuan për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”, shtetasin:
– Redi Popescu, 40 vjeç, banues në Tiranë.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë në ngarkim të shtetasit të lartpërmendur për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, parashikuar nga neni 301 i Kodit Penal.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb