DURRËS

Një ditë pas ekzekutimit në pritë të 40-vjeçarit Feriz Bardhi në Durrës policia vijon hetimet intensive për zbardhjen e krimit që tronditi qytetin bregdetar. Gazetarja Klodjana Haxhiaj raportoi për “BalkanWeb” se 8 persona janë shoqëruar nga policia dhe janë marrë në pyetje për llogari të hetimit.

Pista kryesore mbetet ajo e larjes së hesapeve për shkak të aktivitetit të dyshimtë të viktimës dhe përfshirjes në trafik droge jashtë dhe brenda vendit.

Policia po heton aktivitetin e tij dhe lëvizjet dhe ka kërkuar edhe ndihmën e policisë italiane për të verifikuar veprimet e tij në shtetin fqinj. Bardhi, babai i dy fëmijëve jetonte mes Shqipërisë dhe Italisë. Sipas të dhënave, kohën më të madhe qëndronte në Itali.
Ndërkaq policia dyshon se 40-vjeçari mund të jetë ekzekutuar nga vrasës me pagesë, pasi ende nuk ka mundur të gjejë prova e gjurmë që do mundnin t’i identifikonin.

Bardhi u ekzekutua dje në orën 12:55 sapo ka dalë nga banesa e tij në lagjen 18 në Durrës. Autorët i kishin zënë pritë dhe e kanë qëlluar me breshëri kallashnikovi. Ai ndërroi jetë disa minuta më vonë në spital.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb