TIRANË – Ministri i Rendit Saimir Tahiri ka ngritur gishtin e akuzës mbi gjyqtarët e Apelit të Vlorës që nxorrën nga burgu, me fare pak muaj dënim, pikërisht atë person që sot vrau bashkëshorten e tij në Fier. Duke marrë shembull këtë rast, Tahiri ka akuzuar të gjithë sistemin e drejtësisë, që sikurse shprehet ai, nuk funksionon “për shkak të paaftësisë dhe korrupsionit të llahtarshëm” dhe bën që gjyqtarët, në pazar me kriminalët,të bëhen bashkë për të vrarë viktimat e radhës.

Tahiri ka kritikuar “heshtjen kolektive”, të të gjitha institucioneve ndaj gjykatave që lirojnë kriminelët, duke nisur nga Presidenti, duke vazhduar me opozitën dhe duke përfshirë edhe vetveten e mazhorancën: “…që viktimat të mos vdesin edhe nga heshtja jonë kolektive” – thekson ai.

Ja se çfarë shkruan Ministri i Rendit, lidhur me dhunimin e rëndë të grave në familje ditët e fundit, të lidhur me sistemin e drejtësisë dhe reagimin mbi këto ngjarje, të opozitës.

“Arrestuar për plagosje të rëndë dhe armëmbajtje, dënuar 3 vjet dhe Gjykata e Apelit Vlorë e nxjerr pas pak muajsh burg – Sot vret gruan nga të rrahurat, – shkruan Tahiri. – Një tjetër që shpëtoi gjallë dje nga atentati me eksploziv, me disa precedentë penalë të rëndë, në kërkim për disa kohë se kishte dhunuar bashkeshorten, u arrestua për disa vepra penale dhe gjykata vendosi arrest shtëpie (për dhunë ndaj bashkëshortes!)

Këto janë pasojat fatale të një sistemi drejtesie që nuk funksionon për shkak të paaftësisë dhe korrupsionit të llahtarshëm. Gjyqtarët bëjnë pazar me kriminelët, duke vrarë bashkë me ta, viktimat e rradhës.

Presidenti i Republikës i ka rastet radhë, por asgjë deri tani nuk ka lëvizur. KLD hesht ose ka shumë punë të mbrojë kooperativën e të korruptuarve. Ca deputete gra e ish-ministre flasin vetëm kur viktimat e dhunës dalin në lajme. Dhjetra OJF marrin para e donatorë, por askush nuk ngrihet në kohë kundër këtyre vendimeve skandaloze të gjykatave.

Gjyqtarët e korruptuar po mbajnë vendin në thundrën e dhunës e krimit e kunder tyre duhet të punojmë të gjithë, që viktimat të mos vdesin edhe nga heshtja jonë kolektive,” – nënvizon ministri.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: