TIRANE – Vrasja e gruas 69-vjeçare me sëpatë në kokë nga i shoqi 73 vjeç në Golem, sipas Policisë ndodhi pas grindjeve e mosmarrëveshjeve të vazhdueshme mes çiftit.
Në 46 vite martesë, bashkëshortët kishin qenë tri herë në prag divorci, pasi viktima donte të ndahej nga autori për shkak të tradhtive të tij. Por ka qenë ndërhyrja e tre djemve që i ka bashkuar ata sërish, duke mos i lejuar të ndaheshin.

Familjarë dhe të afërm të Shazivare Dervishit, shpreheshin dje së janë habitur kur kanë dëgjuar se çfarë ka dëshmuar në Polici, Veli Dervishi. Sipas tij, edhe pse i penduar për krimin e kryer, vrasjen e ka kryer sepse ishte lodhur nga ajo dhe se e kishte tradhtuar gjithë jetën.

“Nuk është e vërtetë ajo që ka thënë Veliu në Polici. Shazivarja jo vetëm që nuk i njihte këto lloj gjërash që thotë ai, pasi gjithë jetën e saj ka punuar me ndershmëri dhe ka qenë një nënë e përkushtuar, por ishte ajo që kishte duruar tradhtitë e tij. Tri herë ka dashur të ndahet për këto që bënte ai lart e poshtë, por e kanë kthyer djemtë. Për hatrin e tyre ajo e ka falur disa herë dhe ja çfarë i ndodhi tani”, tregojnë disa të afërme të 69-vjeçares, shkruan “Panorama”.

Ndërsa disa të tjerë flasin edhe për dëme ekonomike që Veli Dervishi i kishte shkaktuar familjes dhe sipas tyre kjo ishte arsyeja kryesore pse e shoqja i kërkonte shpjegime herë pas here dhe jo për tradhtitë.

“Ai ka shitur tri shtëpi dhe paratë një zot e di se nga i ka çuar e kujt ia ka dhënë. Për këtë arsye kishin dhe grindje mes njëri-tjetrit. Por edhe këtë ajo e kishte toleruar se kishin 40 e kusur vite martesë”, thotë një e afërme.

DESHMIA E AUTORIT
Veli Dervishi, 73-vjeçari që vrau të shoqen duke e goditur me sëpatë në kokë, kishte kthyer disa gota raki para se të kryente krimin. Ndërsa sipas Policisë, ngjarja ka ndodhur rreth një ore, një ore e gjysmë, para se ai të vetëdorëzohej në Postën e Golemit, i shoqëruar nga i biri. Fillimisht Policia ka marrë njoftim nga fqinjët e çiftit, të cilët raportonin se po dëgjonin zhurmë e britma të mëdha në shtëpinë ku ndodhi ngjarja. Një patrullë Policie ka shkuar në adresën ku ishte dhënë njoftimi dhe portën e ka hapur vetë autori i krimit.

Sipas Policisë në atë moment nuk dëgjohej asnjë zhurmë brenda banesës, pasi vrasja e 68-vjeçares kishte ndodhur. Efektivët e kanë pyetur të moshuarin nëse kishte ndonjë problem dhe ai, shumë i qetë, sikur nuk kishte ndodhur gjë, u ka thënë se nuk kishte asnjë problem dhe të rrinin pa merak. Por në atë kohë ai kishte lajmëruar të birin në Tiranë, duke i treguar se i kishte vrarë nënën dhe po priste sa të shkonte ai aty.

Rreth një orë më vonë ai është paraqitur në Postën e Golemit, i shoqëruar nga djali i vet, duke rrëfyer atë që kishte bërë. “Kisha pirë disa gota raki. Jam penduar shumë për atë që kam bërë. Por nuk e duroja dot më atë kërkesë llogarie të gruas. Më kishte lodhur”, ka dëshmuar ai para oficerëve të Krimeve të Rënda.(panorama)
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: