ELBASAN- Ndërsa policia holandeze vazhdon hetimet për të zbardhur rrethanat e vrasjes së dy vëllezërve nga Elbasani, banesa e këtyre të fundit në periferi të qytetit ka hapur derën e mortit. Florenc dhe Glevis Tola u vranë të enjten e kaluar, ndërsa një shok i tyre mbeti i plagosur si pasojë e të shtënave të armëve nga autorë ende të paidentifikuar. Gazeta Panorama shkruan sot se nga burime të familjes Tola mësohet se tre vëllezërit dhe motra e tyre e vetme janë rritur jetimë, pasi nëna i la fare të vegjël, ndërsa babai i tyre ndërroi jetë rreth gjashtë vjet më parë. Vëllai i madh prej kohësh emigrant rezident në Holandë, duket se ka tërhequr dhe dy vëllezërit më të vegjël, Levin dhe Lencin, ashtu siç edhe njihen nga banorët e lagjes së tyre ku janë rritur pas shinave të trenit në Unazën e qytetit.
Florenci, baba i dy fëmijëve, më i vogli thuajse 7 muajsh, kishte tri ditë që kishte ikur nga Shqipëria para se të vritej në Holandë. Sipas të afërmve mësohet se vrasja e dy vëllezërve ka ndodhur për shkak të një grabitjeje në banesën e tyre dhe nuk kanë lidhje me çështje droge, siç ka deklaruar pas krimit policia vendase. Ndërsa në banesën e tyre është hapur dera e mortit, janë bashkëshortja e Florencit dhe daja i tij të cilët presin ngushëllime për këtë tragjedi të ndodhur në familjen e vogël Tola. Dy trupat e pajetë të dy vëllezërve pritet të vijnë në Shqipëri nga fundi i javës për t’u prehur në varrezat publike, pranë prindërve të tyre. Ndërkaq, sipas burimeve zyrtare të Policisë së Elbasanit bëhet e ditur se Florenc Tola është plagosur me armë zjarri në këmbë tre vjet më parë, por kjo ngjarje nuk u zbardh ndonjëherë. Nuk dihet ende rrëfimi që ka bërë personi i mbijetuar nga kjo ngjarje, i cili është dëshmitari kyç i krimit të dyfishtë.
NGJARJA NË HOLANDË
Florenc Tola, 30 vjeç dhe Glevis Tola, 26 vjeç, u qëlluan me armë zjarri në Roterdam të Holandës mbrëmjen e së premtes. Një shqiptar tjetër i identifikuar si Serxhio Piku mbeti i plagosur nga kjo ngjarje. Vetëm tri ditë para krimit, Florenc Tola (Bahiti) ishte larguar nga Shqipëria për të udhëtuar drejt Holandës, ku gjeti vdekjen bashkë me vëllain e vogël. Dy vëllezërit mësohet se jetonin prej vitesh në Holandë, ndërsa vinin shpesh në Shqipëri, kryesisht i madhi, i cili kishte gruan me dy fëmijë të vegjël që qëndronin në qytetin e Elbasanit. Burime nga Policia lokale përmenden nga mediat e huaja se ka pasur shkëmbim zjarri mes palësh, prej nga mbetën të vdekur vëllezërit Tola dhe u plagos një tjetër, por nuk dihet se cilët janë autorët. Po ashtu po hetohet edhe për shkaqet e krimit të dyfishtë, për të cilin dyshohet se ka lidhje me pazare të drogës.


Vëllezërit shqiptarë jetonin në zonën e njohur si “lagjja e bullgarëve”. Të dhënat nga Policia shqiptare flasin se 30­vjeçari Tola kishte vetëm pak ditë që ishte larguar nga Shqipëria. Të dhënat në sistemin TIMS tregojnë se Florenc Tola, i cili njihej zyrtarisht me mbiemrin Bahiti, kishte hyrë në Shqipëri nga Kakavija më 10 janar të këtij viti. Pasi ka qëndruar pak ditë në Elbasan, është larguar nga Aeroporti i Rinasit më 13 janar. Ndërsa i vëllai i tij, Glevis Tola, 26 vjeç, ka hyrë në Shqipëri për herë të fundit më 31 korrik dhe është larguar pas një kohe të shkurtër qëndrimi në atdhe.


Aktualisht në Elbasan jeton vetëm familja e Florenc Tolës, e cila ka hapur dyert e mortit, por pa mbërritur ende trupat e viktimave. Në qytetin e Elbasanit vëllezërit kanë një banesë të thjeshtë, duke rrëzuar dyshimet se ata janë përfshirë në çështje droge. Nga ana e Policisë së Elbasanit pohohet se dy vëllezërit Tola nuk kishin asnjë precedent penal në këtë qark. Për zbardhjen e ngjarjes së rëndë pritet të merret në pyetje shqiptari i mbijetuar, i cili mund të tregojë për policinë holandeze se cilët ishin autorët e krimit.


(m.k/Panorama/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: