Prokuroria Themelore në Ferizaj ka dhënë informacione të reja në lidhje me vrasjen e rreshterit të Policisë së Kosovës, Muhamed Lika, që ndodhi mbrëmë në shkallët e banesës së tij në Kaçanik.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Burim Çerkini, në një konferencë për media ka deklaruar se dy persona janë të dyshuar për kryerjen e krimit. Ai shtoi se, megjithëse ata kanë parë pamje nga vendi i ngjarjes, nuk kanë mundur t’i identifikojnë ata, por përshkrimi që kanë është se ata ishin dy të rinj, të cilët mbajtën kapele dhe ikën nga vendi i ngjarjes pas kryerjes së vrasjes.

Sipas prokurorit, ngjarja ka ndodhur më 1 prill 2025, rreth orës 23:00, kur Muhamed Lika, pas kthimit nga puna, është qëlluar dhe ka ndërruar jetë në shkallët e banesës së tij. Pas njoftimit të Policisë, janë ndërmarrë veprime të shpejta hetimore në bashkëpunim me Prokurorinë, dhe hetuesit kanë qenë të pranishëm deri në orët e para të mëngjesit për të hetuar rastin.

Çerkini theksoi se Policia, me autorizimin e Prokurorit, ka ndërmarrë veprime të shumta dhe është duke punuar intensivisht për të identifikuar dhe kapur autorët e vrasjes. Ai po ashtu njoftoi se hetimet janë duke u fokusuar edhe në zbardhjen e motivit dhe arsyeve që mund të kenë çuar në këtë krim të rëndë.

Prokurori shtoi se shumë persona janë intervistuar dhe janë mbledhur prova që do të ndihmojnë në zbardhjen e rastit. Ai theksoi se vrasja e rreshterit Lika është një humbje e madhe për Policinë e Kosovës, për Prokurorinë, për familjen e tij dhe për shoqërinë në përgjithësi.

Çerkini mohoi spekulimet që flisnin për arrestimin e dyshuarve, duke shpjeguar se deri tani nuk ka asnjë person të arrestuar dhe se ende nuk është i qartë motivi i vrasjes. Ai gjithashtu theksoi se ky është rasti i pestë i vrasjes në Kosovë në dhjetë ditët e fundit, dhe shprehu shpresën se ky do të jetë i fundit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb