KUCOVE – Pas ngjarjes së ndodhur një ditë më parë në Kuçovë ka mbetur i befasuar edhe babai i autorit, Faik Sakolli. Në një prononcim për gazetën “Panorama” ai tregon bisedën e fundit me djalin përpara se ai të vriste vajzën që dashuronte dhe të plagoste vëllain e saj.
“Unë jam befasuar kur u njoha me ngjarjen. Djali të dielën ishte në shtëpi, u vesh dhe tha po dal xhiro dhe do kthehem në darkë në shtëpi. Në mbrëmje më mori në telefon dhe me tha mos më prit sot se nuk do vij. Unë i thashë, pse nuk do vish? Më tha jam me disa shokë, jam mirë dhe nuk do vij”,-rrëfen Faik Sakolli.

Megjithatë, sipas tij, është ende e paqartë se kush e ka çuar djalin deri në Kuçovë si dhe fakti se ku e gjeti ai armën kallashnikov, pasi nuk ka pasur armë në shtëpi.

“Më pas, në orët e para të mëngjesit u njoha me ngjarjen nga televizori dhe u befasova. Unë nuk e di se kush ishin ata persona që e morën dhe e çuan në Kuçovë. Djali nuk kishte armë në shtëpi, nuk e di ku e ka gjetur”, – vijon më tej babai i Klaus Sakollit.

Më 14 janar, Denisa Demaj mbushte 22 vjeçe. Nga burime pranë familjes mësohet se e reja punonte në fabrikën e prodhimit të çantave në hyrje të Kuçovës, ndërsa në fundjavë ndiqte dhe studimet part-time në filialin e një universiteti privat në Berat. Kushërinjtë thonë se nuk kishin dijeni për një lidhje të saj me autorin e krimit, Klaus Sakolli. Ndërsa nga burime të Policisë deklarohet se mes dy të rinjve kishte një lidhje që kishte zgjatur prej gati 1 viti. Në rrjetin social “Facebook”, Denisa dhe Klausi ishin miq mes tyre dhe madje 29­vjeçari kishte dedikime për të. Por, nga ana e familjes Demaj nuk pëlqehej i riu nga Berati. Shkak për të mendohet se është e kaluara e tij. Në vitin 2012, sipas Policisë, Klaus Sakolli kishte bërë një plagosje me thikë dhe ishte dënuar për këtë. Fjalët për arrestimin dhe dënimin e tij nuk janë pritur mirë nga familjarët e Denisa Demajt, së cilës i është ndaluar komunikimi me Sakollin. Mynyr Demaj, kushëriri i vajzës, tha dje se viktima dhe vëllai e motra e saj ishin rritur me vështirësi nga prindërit, për shkak të varfërisë. “Vjen një kriminel dhe ua merr jetën papritur”, u shpreh ai, duke kërkuar drejtësi për ndëshkimin e autorit.

Autori në Polici: E doja, por më mbylli telefonin dhe u acarova.
Refuzimi i fejesës ka shkaktuar tragjedinë në Kuçovë, ku vajza 22 vjeçare, Denisa Demaj ka gjetur vdekjen dhe vëllai i saj 20 vjeçar, Edi Demaj, është plagosur dhe ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin ushtarak në Tiranë. Policia bën të ditur se ngjarja ka ndodhur mbrëmë rreth orës 24, kur autori, 29- vjeçari Klaus Sakolli ka hyrë në shtëpinë e vajzës dhe e ka qëlluar atë në kokë, ndërsa i vëllai ka marrë një plumb në bark.Gjatë dëshmisë së Polici, Klaus Sakolli ka pranuar krimin duke sqaruar edhe rrethanat. “Unë e doja vajzën. Mirëpo ajo më mbylli telefonin dhe unë u acarova jashtë masë. Mora të atin dhe ai me tha hajde sqarohemi nesër, por unë doja të sqarohesha sot. Pastaj shkova me armë, u hodha nga muri dhe ndodhi ajo që ndodhi”, – ka deklaruar Sakolli në polici.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: