Zbardhet dëshmia e Julian Gjoshit para policisë.
Autori i vrasjes së 50-vjeçarit Alfred Dedja është zbërthyer para policisë, një ditë pas dorëzimit në komisariat. Ai ka rrëfyer se ka pasur njohje me viktimën, por së fundmi kishte marrë vesh se e shante në njerëz të ndryshëm.
“Më shante nëpër tavolina. Unë e mora vesh që ai më shante dhe nuk e durova dot këtë gjë, pasi unë e kam mbajtur atë. Ai nuk mund të më shajë mua. Të dielën shkova për drekë te lokali në Ndroq dhe sa e pashë Alfred Dedjan e qëllova me armë”, ka thënë ai.
Autori i vrasjes së Alfred Dedjas është dorëzuar ditën e djeshme në ambientet e policisë, 24 orë pas krimit. 26-vjeçari Julian Gjoshi e qëlloi me 5 plumba 50-vjeçarin Alfred Dedja dhe më pas u arratis.
Viktima Alfred Dedja rezulton se jetonte mes Shqipërisë dhe Italisë. Sipas burimeve nga policia Dedja rezulton të jetë i dënuar më parë në shtetin Italian për trafik droge. Po ashtu viktima dhe autori kanë qenë të njohur dhe miq me njëri -jetrin. Pas marrjes së dëshmive nga policia, sipas dëshmitarëve të dy frekuentonin vazhdimisht zonën e Ndroqit dhe lokalin ku ndodhi edhe vrasja.