SARANDE – Vëllai i kreut të njësisë administrative Kaçinar, Aleksander Bardhi, i cili u gjet i pajetë në një kanal në fshatin Shëndelli, njihet nga policia si person me precedentë penalë, pasi rezulton të jetë dënuar më parë me 8 vjet heqje lirie, për plagosje të rëndë me dashje, ngjarje e ndodhur disa vite më parë në Mirditë. Mësohet se 48-vjeçari Aleksander Bardhi nuk e ka kryer dënimin, pasi duke qenë në kërkim, nuk është kapur nga policia dhe me vendim të Gjykatës së Lezhës në vitin 2011, i është parashkruar dënimi. Parashkrimi i dënimit konsiston në atë së për shkak të kalimit të afatit, i cili është paraparë me ligj, nuk mund të ndërmerret ndjekja penale dhe personit nuk mund ti shqiptohet dënimi për vepren penale që ka kryer.

Ndërkohë, policia e Sarandës bën të ditur se në lidhje me vrasjen e Aleksander Bardhit janë shoqëruar 16 persona, me të cilët po punohet për sqarimin e rrethanave të vrasjes.

Edhe vëllai i viktimës, kreu i njësisë administrative Kaçinar, Petrit Bardhi dhe vëllai tjetër, Florian Bardhi kanë patur probleme me ligjin. Petriti dhe Floriani janë arrestuar kohë më parë për trafik të lëndëve narkotike. Një sasi e madhe droge, prej 424 kg kanabis u gjet në banesën e tyre në Sarandë, e cila dyshohet se kishte si destinacion Greqinë. Floriani, do të do të merrte përsipër trafikimin e drogës nga Saranda në Greqi, pasi në banesë u gjet edhe një pasaportë biometrike me emrin e Florian Bardhit, 50 vjeç. Operacioni policor në atë kohë ishte koduar “Shëndellia”, pikërisht me emrin e fshatit të Sarandës ku jeton Petrit Bardhi dhe ku në 00:35 të këtij mëngjesi u gjet i vrarë vëllai i tij.

Petrit Bardhi rezulton i dënuar edhe më parë për veprën penale “dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”. Në maj të vitit 2015 Petrit Bardhi u ndalua në Tiranë pasi iu gjet një pistoletë, por më vonë u vërtetua se ai kishte leje për mbajtjen e armës. Ndërsa në vitin 2013 kur mbante postin e kryetarit të komunës së Kaçinarit ai pati një përplasje me armë me policinë. Madje, Petrit Bardhi u lirua nga burgu me pretendimin se “gërhiste shumë”. 44-vjeçari u emërua administrator i njësisë administrative Kaçinar pas zgjedhjeve vendore 2015, nga kryetari i Bashkisë së Mirditës, Ndrec Dedaj, i Partisë Socialiste.

VRASJA E ALEKSANDER BARDHIT
Sipas Policisë së Sarandës, “rreth orës 00:35, në Spitalin e Sarandës është dërguar një trup i pajetë i cili dyshohet se është vrarë me armë zjarri. Policia ka filluar menjëherë hetimet paraprake në lidhje me ngjarjen dhe ka bërë të mundur identifikimin e viktimës si shtetasi Aleksandër Bardhi, 48 vjeç, banues në fshatin Shëndëlli, Sarandë.
Gjatë hetimeve paraprake dyshohet se ngjarja ka ndodhur afër fshatit Shëndëlli (përballë fshatit Vrinë) ku sipas deklaratës së personit që e ka shoqëruar viktimën në Spitalit e Sarandës (djali i xhaxhait të viktimës) dyshohet se trupi i pajetë është gjetur nga ana e tij i vrarë me armë zjarri të dyshuar të llojit “Automatik” në rrugën hyrëse të këtij fshati.
Grupi hetimor po kryhen veprimet e mëtejshme për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
Policia ka ngritur pika kontrolli në rrugët kyçe rreth kësaj zone për rënien në gjurmë të autorëve me qëllim identifikimin dhe kapjen e tyre.”
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: