Nga: AURORA KOROMANI*
TIRANE – Autori e qëlloi Shkëlzenin pa paralajmërim. Ai kishte vënë kapuç dhe kishte vënë shall deri te sytë”. Kjo është dëshmia e njërit prej dëshmitarëve okularë që kanë qenë i pranishëm në lokalin ku mbrëmjen e së premtes u ekzekutua për vdekje 38-vjeçari, Shkëlzen Leka. “Gazeta Shqiptare” ka kontaktuar ditën e djeshme me dëshmitarin, që për arsye të sigurisë së tij nuk botohen të dhëna personale, i cili tregon se çfarë ka arritur të shohë në momentin që i riu u qëllua me pistoletë nga një person ende i panjohur. Nga ana tjetër, grupi hetimor ka zbuluar të dhëna të tjera në lidhje me atentatin ndaj 38-vjeçarit. Burime pranë Policisë së Tiranës sqarojnë se një nga pistat e vrasjes së Lekës është ajo e hakmarrjes për shkak të konflikteve për çështjen e kromit në Bulqizë. Burime të sigurta nga uniformat blu bëjnë me dije se Shkëlzen Leka ishte vëllai i A.Lekës, i cili prej kohësh ka pasur konflikte me Gjin Nikën. Burime pranë grupit hetimor pohojnë se kjo është një nga pistat ku janë përqendruar hetimet, por pa përjashtuar edhe faktet e tjera. Policia po heton edhe përfshirjen e Lekës në një proces gjyqësor, ku ka dëshmuar kundër Gjin Nikës, i cili mbeti i vrarë pak muaj më parë në hyrje të kryeqytetit. Nga të dhënat hetimore rezulton se një vit më parë Nika dyshohet se ka plagosur në Tiranë shokun e 38-vjeçarit dhe më pas ky i fundit ka dëshmuar në polici se autori i plagosjes ka qenë Nika, aq shumë i përfolur në botën e krimit.
Dëshmitari
Çfarë ndodhi mbrëmjen e së premtes?
Shkëlzeni ishte i ulur në tavolinë me dy miqtë e tij në momentin që nga jashtë ka hyrë një person dhe ka qëlluar në drejtim të tij.
Ju sa afër Shkëlzenit ishit në momentin që ndodhi ngjarja?
Unë isha disa tavolina më tutje dhe shumë gjëra nuk i kam parë me shumë detaje, sepse në ato momente të gjithë u ruajtën për jetën e tyre. Shkëlzeni ishte ulur në tavolinën afër derës në momentin që e qëlluan.
Shkëlzeni në ato momente ka qenë vetëm në tavolinë apo me njerëz të tjerë?
Shkëlzeni ka qenë në tavolinë me dy shokët e tij, nuk ka qenë vetëm. Shkëlzeni ka qenë me kurriz nga dera dhe në momentin që e ka qëlluar autori, mes tij dhe Shkëlzenit nuk ka pasur kontakt fare.
Ju arritët ta shikonit autorin?
Nuk e pashë me shumë detaje, sepse ju thashë që edhe unë pata frikë për jetën time, por vura re se ishte një njeri shumë i gjatë dhe se në kokë kishte kapuç dhe kishte vënë shall deri te sytë. Çdo gjë ndodhi shumë shpejt saqë askush nuk e kuptoi se çfarë ndodhi.
Dëgjuat që autori t’i thoshte ndonjë fjalë Shkëlzenit në momentin që e qëlloi?
Jo, nga distanca që isha unë nuk dëgjova që mes tyre të kishte komunikim. Autori hyri nga dera kryesore, u drejtua drejt tavolinës së tij dhe e qëlloi pa paralajmërim, pa i thënë asgjë. E qëlloi mbrapa kokës. Pas kësaj, autori u largua, por nuk e di se në cilin drejtim ka ikur.
Çfarë bëtë ju më pas?
Të gjithë u çuam që të dërgonim Shkëlzenin në spital. Ai nuk arriti të na thoshte asnjë fjalë. Edhe dy shokët e tij e dërguan me urgjencë në spital dhe ai vdiq rrugës për atje.
Ju e njihnit mirë Shkëlzenin? Dinit nëse ai kishte konflikte me ndonjë person?
Në fakt, Shkëlzenin e njihja si fytyrë, sepse shkonim shpesh në të njëjtin lokal dhe aty ishim njohur, por nuk kisha shumë muhabet dhe nuk e di nëse ka pasur konflikte me njeri apo jo. Unë di të them se ai për aq kohë sa e njihja unë, në lokal nuk ishte konfliktuar me njeri.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: